FINALJA EURO2020

Donnarumma hero, Italia ia merr trofeun anglezëve në Wembley
11 July, 2021 @23:55
Gigi Donnarumma ka mbrojtur dy penallti, ndërsa një ka qëlluar shtyllën për tu bërë hero i finales së EURO 2020 dhe për t’ia sjellë Italisë titullin e më të mirit në Evropë.
Italia mposhti Anglinë në finale të evropianit pas ekzekutimit të penalltive 3-2, pasi që ndeshja në kohë të rregullt kishte përfunduar 1-1 dhe gol nuk kishte as pas vazhdimeve 2 herë nga 15 minuta.
Anglia nisi shkëlqyeshëm ndeshjen dhe shpejt gjeti golin, derisa pas një krijimi të Harry Kane ka qenë Kieran Trippier që gjeti në anë të majtë Luke Shawin, që me të majtën qëlloi portën e italianëve për epërsi 0-1 (2).
Ky ishte edhe goli më i shpejtë i finaleve të të gjitha evropianeve. Anglia vazhdoi me posedim dhe kontroll të lojës, por Italia dalëngadalë mori veten dhe veçanërisht me lojë insistuese të Federico Chiesës shkonte dhe rrezikonte portën e Jordan Pickfordit.
Goli i azzurrëve erdhi në pjesë të dytë. Ishte Leonardo Bonucci që shënoi pas një karamboli në mbrojtje të anglezëve, pas goditjes nga këndi. Rezultati u barazua në 1-1 (67).
Më pas në ndeshje më nuk kishte gola, derisa Italia u bë shumë më kërkuese se Anglia, që shkonte matur me lojë dhe kontrollonte mbrojtjen si duhet.
Gjithsesi insistimi i italianëve vazhdoi edhe në vazhdime, derisa në pjesë të dytë të vazhdimeve Anglia mori kontrollin për të tentuar disa herë, pa arritur të rrezikojë seriozisht Donnarumman.
Ndeshja u desh të vendosej pas penalltive. E aty Italia e nisi me gol të Domenico Berardit, për të shënuar edhe Harry Kane. Andrea Belotti dështoi në të dytën, derisa Harry Maguire i dha epërsinë anglezëve, 1-2.
Leonardo Bonucci barazoi në 2-2, për të dështuar Marcus Rashford. Federico Bernardeschi qëlloi në mes të portës për t’i dhënë epërsinë Italisë 3-2, ndërsa Jadon Sancho pa të mbrojtur penalltinë e tij.
Mesfushori Jorginho ishte i fundit për goditje nga Italia dhe pritej që të shënonte për fitore. Jordan Pickford ia mbrojti penalltinë edhe atij, për t’i dhënë mundësi Anglisë për barazim dhe për të shkuar në seri një nga një. Mirëpo, Bukayo Sako pa penalltinë e mbrojtur nga Donnarumma për përfundimtaren 3-2 dhe kështu Italia nisi festën.
Roberto Mancini selektor vazhdon kështu serinë e pamposhtshmërisë të italianëve, ndërsa Anglia në arritjen e parë të finales së një EURO-je, nuk ka arritur ta fitojë atë.
Italia përndryshe fiton trofeun e parë të EUROs që prej vitit të largët 1968, pas dy finaleve të humbura në EURO 2000 dhe EURO 2012.