PRISHTINA-BESA
E treta me radhë, Prishtina lidere
21 October, 2017 @15:19
Shumë me lehtë sesa që është pritur, Prishtina ka shënuar fitore ndaj Besës sot në Rexhep Rexhepi, për të marrë trepikëshin e radhës.
Prishtina tashmë është lidere e re e Superligës dhe atë e arrin në momentin kur përfundon cikli i parë i ndeshjeve të takimeve të para me të gjitha rivalët e elitës.
Bardhekaltërit kanë dominuar që nga minuta e parë e ndeshjes dhe shpejt presioni i tyre në portën e pejanëve ka rezultuar me gabime të mbrojtësve të Besës, për të shënuar së pari Gauthier Mankenda, pastaj edhe Ahmed Januzi, ndërsa Ergyn Ahmeti pak para fundit të 45 minutëshit të parë ka bërë 3-0 rezulatin.
Në pjesën e dytë Ahmeti ka shënuar edhe golin e dytë të tijin personal për 4-0 përfundimtare, në ndeshjen ku tashmë fituesi dihej por vetëm pritej rezultati përfundimtar.
Kjo ka qenë fitorja e tretë me radhë e Prishtinës dhe tani me 21 pikë bardhekaltërit e drejtuar nga Mirel Josa duket se kanë marrë veten dhe po hynë në binarë për rrugën drejt titullit, që nuk e kanë prekur qe katër stinorë.