DRITA - LLAPI

Fazliu “shkrin borën” në Gjilan
13 February, 2021 @14:37
Në kushte tejet të vështira për lojë, për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturës së ulët, skuadra e Dritës iu gëzua fitores në ballafaqim me skuadrën e Llapit.
Festa për ekipin gjilanas erdhi me golin e vetëm në ndeshje, të cilin e shënoi sulmuesi Astrit Fazliu në minutën 74’. Ky ishte goli i pestë i Fazliut në kampionatin e sivjetëm.
Pas këtij goli Drita pati edhe një rast në minutën 80’ duke u organizuar mirë në sulm me kombinime të bukura, mirëpo finalizimi në fund i mungoi.
Ndërsa në minutën e dytë të kohës shtesë vendasit për pak sa nuk u befasuan, kur në sulmin e Llapit Edon Sadriu depërtoi bukur nga krahu i djathtë dhe pasoi tek Engjëll Hoti që ishte në pozitë të volitshme në zonën e rreptësisë, mirëpo goditja e këtij të fundit përfundoi pak mbi portë, ndërsa më parë në dy raste të tjera Kastriot Selmani dhe Muhamet Hyseni shpërdoruan rastet duke qëlluar shtyllën dy herë.
Drita me këtë fitore vazhdon ta ruajë dallimin me kundërshtarët në radhitjen tabelare, duke kryesuar tani me gjithsej 44 pikë.