CITY 3-0 SPURS

Foto: ManCity/fb
City briliant, lehtë ndaj Tottenhamit
13 February, 2021 @23:46
Manchester City ka shënuar fitoren e 15 radhazi dhe ka bërë dallimin me ndjekësin e parë në Premier Ligë, 7 pikë, derisa ka mposhtur lehtë Tottenhamin 3-0 në Etihad sot.
Ilkay Gundogan, në super-formë, ka shënuar dy herë në fitore, derisa Rodri i kishte dhënë më parë epërsinë “qytetarëve” për fitoren 3-0 [Rodri (23’minutes pen), Gündogan (50’minutes, 66’minutes)].
Kur Tottenham i Jose Mourinhos kishte mposhtur në duelin e parë të stinorit Cityn, në nëntor 2020, Spurs ishin në vend të parë të klasifikimit.
E që prej atëherë, City ka marrë 41 pikë nga 45 të mundshme për të marrë avantazh vendimtar në luftë për titull kampioni në elitën e futbollit anglez.
Tottenham i Mourinhos është në formë jo të mirë, derisa ka regjistruar humbjen e katërt nga 5 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.