FERIZAJ

Foto nga arkivi
Ferizaji kërkon ndihmë, afër shuarjes
2 March, 2021 @22:28
Ish-skuadra e Superligës së Kosovës, që tash po garon në Ligë të Parë B të Kosovës, KF Ferizaji, është shumë afër shuarjes.
Së paku kështu ka shkruar njoftimi i fundit i skuadrës botuar në llogarinë e Facebookut.
“Kriza e madhe financiare që ka kapluar klubin tonë na bën që të detyrohemi që ndeshjet e radhës të mos i zhvillojmë fare dhe të largohemi nga garat,” ka shkruar njoftimi i bardhekaltërve nga qyteti që njihet për biznese!
Apeli i KF Ferizajit ka shkuar edhe më tej, duke lutur kryetarin e Komunës me aksionarët që t’i dalin në ndihmë klubit pasi që më nuk ka kthim prapa dhe klubi po shkon drejt shuarjes.
Përndryshe, sot në vizitë te kryetari i Komunës së Ferizajit kanë qenë dyshja kryesore e FFK-së, Agim Ademi e Eroll Salihu. Ata biseduan aty për infrastrukturën dhe zhvillimin e futbollit në Ferizaj!
“Me kryetarin e Komunës drejtuesit e FFK-së u dakorduan që në të ardhmen e afërt të realizojnë projekte të përbashkëta në infrastrukturë, por edhe në segmente tjera që janë të ndërlidhura me futbollin, e të cilat do t’i shërbejnë jo vetëm klubeve dhe shkollave të futbollit, por edhe komunitetit të këtij regjioni në tërësi,” ka bërë të ditur FFK-ja sot.
Kujtojmë, dy vite më parë në Ferizaj u paralajmërua dalje nga kriza kur ekipit iu afrua anglezi Brian Deane. Pa gjurmë sot.
Përndryshe, sa i përket rezultateve, Ferizaji nuk qëndron keq në Ligë të Parë B. Ekipi ka gjasa tejet të mira për t’u inkuadruar në Superligë. Ferizaji është i katërti në renditjen tabelare dhe me 5 pikë më pak se liderja, Ulpiana.
Ekipi deri tash ka arritur të regjistrojë 5 fitore, 7 barazime e 4 humbje.