DITARI NR. 21 @ EURO 2016
Finalist
Shkruan: Luan MORINA
7 July, 2016 @12:07
Të jemi të sinqertë që as Portugalia e as Uellsi me lojën e treguar në këtë kampionat nuk kanë merituar një vend në finale. Në fakt as në gjysmëfinale. Portugalisë mund t’ia numërojmë lojën me Hungarinë, ngjashëm si Uellsit lojën me Belgjikën, si lojëra të bukura. Por, edhe në këto dy lojëra mund të fajësojmë kundërshtarët deri në një masë.
Mirëpo, në përgjithësi shumica e lojërave kanë qenë të mërzitshme, me pak e ndoshta hiq futboll atraktiv. Ngjashëm do të ishte edhe mbrëmë sikur Cristiano të mos shkëputej në atë lartësi për të thyer atë kotësi prej ndeshjeje. Dhe pastaj gjithçka rrjedh lehtë. Ishte e pamundur për Uellsin të kthehej në lojë kur e dimë që është një ekip defansiv që nuk mund të përmbys rezultat me atë shtrirje formacioni. Dikush fajëson mungesën e Ramsey, dikush mungesën e Davies. Për mua mungesa e këtij të fundit ishte më vitale. Sidoqoftë, të gjitha mrekullitë kanë fundin.
Portugalia nuk tregoi ndonjë gjë. Në fakt asgjë të rëndësishme. Sanches ishte më i mbuluar, derisa Ronaldo nuk kishte shumë hapësirë për të udhëhequr lojën, ngjashëm sikur Bale në anën tjetër. Që të dy ishin përqendruar në topa të ndaluar, dhe vetëm njëri ia doli të ishte i suksesshëm nga ta.
Në fakt, problemi kryesor tek loja e mërzitshme e këtyre dy kombëtareve (dhe shumë tjerave) ishte përqëndrimi tek një lojtar. Nëse i bllokon lojtarin kryesor – Bale dhe Ronaldon, apo thjesht nëse nuk janë në qejf, atëherë bllokon krejt ekipi. Dhe kjo është për gjynah, të shohësh shumicën e lojtarëve të tjerë duke kryer vetëm një punë – largimin e topit sa më larg nga porta dhe duke u shtangur në momentin që kalojnë në gjysmëfushën e kundërshtarit, pa ide, pa kreativitet, pa gjë.
Shpresojmë që gjysmëfinalja tjetër të jetë më interesante dhe të na jap emrin e kampionit të ri evropian. Na mjafton vetëm një Euro2004! Bile na tepron!