FERNANDO SANTOS
Inxhinieri i heshtur
6 July, 2016 @23:39
Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, është njeriu i heshtur që qysh në fazën grupore pranoi se luan për rezultat dhe as që mërzitet për lojën e bukur të ekipit.
I KUJDESSHMI
“Edhe me kusht që në të gjitha ndeshjet të barazojmë, jam i kënaqur nëse e arrijmë finalen e europianit,” kishte thënë 61 vjeçari i lindur në Lisbonë, pas dy barazimeve të para në grup.
Përndryshe, Santos në moshën 23 vjeçare diplomoi në inxhinieri elektrike dhe të telekomunikacionit në Institutin Superior të Inxhinierisë së Lisbonës.
Santos erdhi në krye të Portugalisë, pas humbjes që portugezët e kishin përjetuar nga Shqipëria, në ndeshjen e parë kualifikuese për EURO2016, në shtatorin e vitit 2014.
FOTO: Bekim Balaj, njeriu që kishte shënuar golin e fitores për Shqipërinë dhe kishte çuar në shkarkimin e përzgjedhësit Paulo Bento nga Portugalia, ku pas kësaj disfate këta të fundit sollën Fernando Santosin në krye të ekipit.
PA HUMBJE
E me ardhjen e tij në krye të ekipit, Portugalia nuk u mposht më në ndeshje zyrtare, duke e arritur finalen e dytë të europianeve në histori të vendit.
Portugalia në finalen e 10 korrikut në Paris, pret fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal, Franca - Gjermania.
Portugalia ka pasë një europian tejet interesant deri sa arriti finalen. Ata nisën grupin me barazim dhe vazhduan kështu në të gjitha ndeshjet e grupit, duke u kualifikuar me tre pikë të fituara.
Më pas, eliminuan Kroacinë pas barazimit në kohë të rregullt, në vazhdime. E në çerekfinale kaluan Poloninë, gjithashtu pasi që barazuan edhe pas vazhdimeve, duke i mposhtur me penallti.
E sonte, në gjysmëfinale, ata shënuan fitoren e parë në kohë të rregullt, për të arritur qëllimin - finalen e EURO 2016.