CHRIS GALTIER
Fitoi titullin dhe largohet
26 May, 2021 @15:28
Pritja një dekadëshe e Lille përfundoi në xhiron e fundit të stinorit. Ata u shpallën kampion duke lënë pas miliarderët parisienë, me një ekip mesatar për ligën franceze të futbollit.
Christophe Galtier trajner, ende pa shijuar mirë suksesin e arritur me klubin e tij, ka dhënë sinjalet për largim nga skuadra duke bërë të ditur se misioni i tij me Lille ka përfunduar.
Francezi 54-vjeçar pas festës së titullit kampion me Lille, duke folë për prestigjiozen franceze L’Equipe ka thënë se ka bërë mjaft këtu dhe s’ka çka të jep më shumë për këtë skuadër.
“Jam shumë i bindur që kam kryer punën time këtu. Cikli 4-vjeçar ka përfunduar dhe kjo është e mjaftueshme për një trajner. E ndiej brenda se ka ardhur koha të ndahem nga ky klub i bukur, i madh… Po e lë Lille me një rezultat të jashtëzakonshëm. Më duhet tjetër sfidë. Nuk dua të futem në rutinë këtu,” ka thënë ndër të tjera Galtier.
Galtier, që ka edhe një vjet kontratë me ekipin iu bashkua Lille në dhjetor të vitit 2017. Më parë, ai kishte kaluar tetë vite te St Etienne. Tash, emri i tij po përfolet si trajner potencial i Nice, Lyon, por edhe Napolit.