VAN PERSIE
“Fitoni, të mos takohemi me Brazilin”
21 June, 2014 @0:18
Sulmuesi holandez që po shkëlqen në këtë Botëror, Robin Van Persie, është i suspenduar për ndeshjen e fundit të fazës grupore të cilën Holanda e luan ndaj Kilit.
Mirëpo, holandezi fluturues, përkundër se nuk do të luaj në ndeshjen e fundit për shkak të kartonëvë të verdhë, u ka thënë bashkëlojtarëve që të fitojnë ndeshjen e fundit dhe të sigurojnë vendin e parë në Grupin B - ashtu që të mos ndeshen me Brazilin në të tetën e finales.
“E ndjej se nëse luajmë më vonë me skuadrat më të forta - është më mirë për ne. Ne duhet të fitojmë dhe pastaj të shikojmë çka po bën dhe ku po përfundon Brazili,” ka thënë Van Persie nga baza stërvitore e Holandës, në Rio De Janeiro.
Holanda fitoi dy ndeshjet e para të grupit, ndaj Spanjës 5-1 dhe ndaj Australisë 3-2, duke siguruar kualifikimin për më tutje.
Fituesi i Grupit B ndeshet me vendin e dytë të Grupit A, derisa fituesi i Grupit A ndeshet me vendin e dytë të Grupit B - në të tetën e finales së Kampionatit Botëror.
Holanda përkundër se ka zhvilluar tre finale të Botërorit - asnjëherë nuk e ka fituar trofeun më të madh të futbollit si vend.