WORLD CUP
Franca - Gjermania, në histori
4 July, 2014 @11:59
Sonte nis faza e ndeshjeve çerekfinale të Kampionatit Botëror. Çerekfinalja e parë do të luhet ndërmjet dy superfuqive europiane, Francës dhe Gjermanisë.
Këto dy shtete do të përballen me njëra tjetër pas 28 vitesh në një Botëror. Atë botë, në vitin 1986 të Kampionatit Botëror që u mbajt në Meksikë, Franca dhe Gjermania u takuan në gjysmëfinale.
Gjermanët, të cilët atë kohë përfaqësonin pjesën perëndimore të Gjermanisë, e fituan ndeshjen me rezultat 2-0 me golat e Andreas Brehme dhe Rudi Voller, por më pas në finale u mposhtën nga Argjentina duke mos arritur ta fitojnë titullin e më të mirit të Botës.
Megjithatë kjo nuk ishte hera e parë që po takoheshin gjermanët dhe françezët mes vete. Ata ishin rivalë me njëri tjetrin edhe në Botërorin e 1958-ës në Suedi dhe 1982-ës në Spanjë.
Sikurse në 86-ën që e cekëm më lartë, edhe në 82-tën përballja e tyre ishte në gjysmëfinale dhe përsëri fitues dolën gjermanët vetëm pas ekzekutimit të penalltive në një ndeshje të paharruar, dhe përsëri në finale u mposhtën. Kurse në 58-tën u takuan në ndeshjen për vend të tretë, të cilën e fitoi Franca me rezultat 6-3.
Sonte do të jetë përballja e katërt ndërmjet Gjermanisë dhe Francës në kuadër të fazës eliminuese nëpër Botërore. Ky takim do të filloj nga ora 18:00 në stadiumin Maracana, dhe njëkohësisht do të jetë dueli i vetëm i europianëve në çerekfinale të Botërorit të sivjetëm Brazil 2014.
Duelet e mëparshme ndërmjet Francës dhe Gjermanisë në fazën eliminuese të Botëroreve
SUEDIA 1958 | Ndeshja për vend të tretë | Franca - Gjermania Perëndimore 6-3 | |
SPANJA 1982 | Gjysmëfinalja | Gjermania Perëndimore - Franca 3-3 (Gjermanët fitojnë pas penalltive) | |
MEKSIKA 1986 | Gjysmëfinalja | Franca - Gjermania Perëndimore 0-2 |