NË PJESËN E KUQE TË GJILANIT
Sulmues brazilian + mbrojtës shqiptar
6 July, 2018 @11:05
Skuadra e Gjilanit ka bërë të ditur se ka përforcuar ekipin me dy futbollistë këto ditë.
Sulmuesi brazilian, Lucas Marcos Meireles, është anëtar i ri i skuadrës së kuqe nga qyteti i Gjilanit, derisa lojtari ka nënshkruar kontratë një vjeçare me ekipin.
Lucas stinorin e fundit ka qenë pjesë e ekipit shqiptar nga Maqedonia, Renova, me të cilët ka shënuar 3 gola në 18 paraqitje në elitën e futbollit të atjeshëm.
Lucas, para se të bëhej pjesë e Renovës ka luajtur edhe për Makedonija Gj. Petrov në po të njejtën ligë, dy stinorë më parë. Ai është aktualisht 22 vjeçar.
Gjithashtu, ekipi i Gjilanit, që ende nuk ka emëruar trajner të skuadrës prej se stinorin e përfundoi me trajnerin Alban Hyseni, që morri drejtimin e skuadrës pas largimit të Arbnor Morinës, ka bërë të ditur se ka përforcuar ekipin edhe me lojtarin nga Shqipëria, Endrien Magani.
Endrien Magani është peqinas dhe luan në pozitën e mbrojtësit. Ai ka përvojë të gjatë në Kategorinë Superiore shqiptare, pasi që aty ka luajtur për disa vite.
Magani 27 vjeç ka qenë pjesë e Shkumbinit të Peqinit, pastaj Teutës së Durrësit dhe së fundi e Lushnjës, që ka rënë në stinorin 2017/18 nga Superiorja. Kjo, do të jetë përvoja e parë e Maganit në Superligën e futbollit të Kosovës, ndërsa ia mesatarisht ka mbi 25 ndeshje për çdo stinor në Shqipëri deri tash, qoftë në Superioren e atjeshme, qoftë në Kategorinë e Parë.