I PAPARASHIKUESHËM!
Grupi F, grup i befasisë
Shkruan: Luan MORINA
9 June, 2016 @12:34
Portugalia
Nuk mbaj në mend Portugali më të dobët. Dhe më e keqja është që nuk pritet të ketë përmirësim këtë dekadë nga ato që po mund të shohim për momentin. Porto, Benfica, e Sporting po prodhojnë lojtarë të kombeve tjera për ekipet e Premier League. Portugezët po mbesin në hije.
Ka pak shpresë në Renaton e Andre Gomesin. Të tjerët tashmë janë pas zenitit dhe pa shanse për të korr ndonjë sukses të madh në arenën ndërkombëtare. Mëkat që talenti i Cristiano Ronaldos po humbet me një gjeneratë të këtillë. Vërtetë atij i pëlqen të jetë lider për shkak të egos së tij, ama do ti pëlqente sikur të kishte partnerë më të mirë në sulm se sa Nani e Quaresma të Turqisë.
Portugalia do të kaloj grupin, por zor që mund të bëj diçka më shumë se çerekfinalet.
Islanda
The Guardian po hedh paralele në mes të Islandës dhe Leicester Cityt. Islanda nuk është Leicester. Islanda ka qenë tregim i bukur i kualifikimeve dhe kaq do të mbetet. Do të kalojnë grupet, por kohezioni i tyre prej një ekipi mirë të ndërtuar nuk mund të përballet me më të mirët e Evropës. Fati që kanë Hungarinë dhe Austrinë në grup.
Gylfi i vetëm nuk mjafton. Finnbogason ka pasur talent por e ka humbur rrugës pas Ajaxit. Edhe shoku i Lenjanit e Canës nuk është i dobët, ama nuk mjafton vetëm sulmi. Gjithashtu Eidur Gudjohnsen është akoma gjallë.
Austria
Fuchs, Dragovic, Wimmer, Prodl. Vija e mbrojtjes është solide. Harnik e Alaba në rolin e regjisorëve në mesfushë, me Arnautovicin e Jankon në sulm, premtojnë lojë të bukur. Mbi të gjitha ka disa talente të reja që janë në ngritje. Luajnë futboll të mirë, ndërtojnë aksionet me qetësi dhe arrijnë të realizojnë nga kur e pret më së paku, kryesisht me topa të gjatë drejt dyshes së sulmit.
Por, edhe për Austrinë sikur për Islandën grupi do të kalohet. Dhe falë pozitës së dytë mund të kenë fatin të luajnë me kombëtare jo shumë të forta. Çerekfinalja për të dyja këto do të ishte befasia e kampionatit.
Hungaria
Shay Given – aty, Gabor Kiraly – këtu, po mungon vetëm edhe Shovkovskiy për portierët pensioner. Me gjasë trenerkat e fillim-viteve 90ta kur Kiraly ka qenë në formën e jetës së tij do të mbeten gjëja më interesante tek hungarezët. Kanë pasur grup jo të rëndë për të kaluar.
Nuk kanë yje, nuk kanë lojtarë që mund të befasojnë. Ende luan Zoltan Gera. Ndoshta po të thirrin edhe Imre Szabics do të kthehej. Nuk janë ekip që mund të befasojë, pos dy pikëve eventuale ndaj Austrisë e Islandës. Por, zor që do të bëjnë diçka. Fati që janë në H.
PARASHIKIMI > Renditja: Portugalia 7 pikë, Islanda 5 pikë, Austria 4 pikë, Hungaria 2 pikë