B-ja e mBretërisë
Si mund të kalojë Grupi B?
Shkruan: Luan MORINA
7 June, 2016 @9:09
ORARI I NDESHJEVE NË EURO 2016
Anglia
Roy Hodgson nuk është trajner kampionësh. Ka qenë i dështuar dhe i tillë do të mbetet. Edhe pas këtij kampionati. Gjasat e Anglisë për të fituar titullin nuk janë aspak të vogla. Kanë një ekip goxha të përbërë, por thjesht s’janë kampionë. Barkley, Henderson, e Wilshere më shumë kanë qëndruar në stol se sa në fushë, derisa Drinkwater që ka kontribuar për titull tek një ekip që lufton për mbijetesë ka mbetur jashtë. Ja Roy Hodgson për juve.
Në sulm dyshja Vardy e Kane me Rooney mbrapa tyre në mefushë mund të jetë shkatërruese. Mbrojtja nuk është e keqe, sidomos krahët me Clyne, e Bertrand që kanë pasur sezon të shkëlqyeshëm. Qendra e mbrojtjes mund të mos jetë aq dinamike me Smallingun.
Janë të ndërtuar për titull, por nuk do të fitojnë. Gjithçka poshtë gjysmëfinales është dështim. Grupi do të duhej të kalohej pa probleme.
Rusia
Rusisë i duhet revolucion i përshpejtuar, sidomos në mbrojtje nëse dëshirojnë së paku fazën e dytë në Botërorin e radhës. Mbrojtja e plakur me Berezutskiy e Ingashevichin, dhe porta me Akinfeev i cili di të pësoj golat më të çuditshëm në botë, nuk garantojnë kalim në fazën e dytë.
Mungesa e, për mendimin tim, rusit më të mirë në futboll Alan Dzagoev është hendikep i radhës për ta. Golovin, e Shatov, do të mund të merrnin përvojë në këtë garë, ngjashëm si Cheryshev, Yusupov, e Miranchuk. Por, këta të fundit nuk kanë pasur vend para pleqve Shirokov, Turbinski, e Denisov. Mendoj që Leonid Slutsky ka gabuar në përzgjedhjen e skuadrës pasi këta që ka thirr nuk ofrojnë sukses, e as nuk garantojnë fazën e dytë. Mendoj që do të jetë një garë e humbur për Rusinë, që do të dëmtoj edhe shanset për Botërorin 2018.
Uellsi
Më në fund Uellsi! Nuk janë ekip i jashtëzakonshëm, ama kanë lojtarë të mirë në të gjitha repartet. Ashley Williams ka qenë shtyllë dhe lider i Swansea Cityt në mbrojtje. Me Collinsin në qendër, e Daviesin e Taylorin në krah mund të bëjnë një mbrojtje solide kundër Rusisë e Sllovakisë. Aaron Ramsey nuk ka pasur sezonin më të mirë këtë vit, ama Ledley, King, dhe Joe ‘Jesus Christ’ Allen kanë qenë në formë të mirë. Gjithçka që ju nevojitet këtyre është të pajisin Bale me topa dhe të japin përkrahje në sulm. Hennessey ka qenë i mirë në portën e Crystal Palace, dhe bashkë me Williamsin e Bale pritet të jetë një nga tri shtyllat kryesore e Uellsit në fushë. Besoj që Uellsi do të kaloj grupet.
Sllovakia
Miroslav Stoch e Vladimir Weiss konsideroheshin talente. Tashti njëri luan në Katar, tjetri në Turqi. Dhe posa kanë kaluar çerek-shekulli jetë. Marek Hamsik mbetet lider i ekipit, Hubocan e Skrtel janë të mirë në mbrojtje. Nuk janë ekip i dobët. Së paku janë më të mirë se Rusia.
Nuk janë edhe pa përvojë në arenën ndërkombëtare që nga mëvetësimi, ama është përvojë minimale. Shumica e afrikanëve mungojnë këtu. Dhe ata që janë prezent nuk duket se kanë ndonjë talent të veçantë. Megjithatë, grupi do të kalohet.
PARASHIKIMI> Renditja në B: Anglia 9 pikë, Uellsi 4 pikë, Sllovakia 4 pikë, Rusia 0 pikë