GRUPI C - ISH KAMPIONI
Grupi C, Kampioni i Botës kalon, të tjerët?
Shkruan: Luan MORINA
7 June, 2016 @22:19
Gjermania
Humbja ndaj Sllovakisë tregon që Gjermania nuk është e pamposhtur. Nuk është Spanja e 5-6 viteve më parë. Janë kampion aktual të Botës, por nuk luajnë futboll dominues. Kryesisht për shkak të veprimeve të çuditshme që di t’i bëj Joachim Low.
Portierë kanë me bollëk, dhe megjithatë luajnë me më jostabilin. Në mbrojtje nuk janë keq, përkundrazi. Boateng me Hummels, Mustafi e Hector anash, Ruediger e Can rezervë, nuk mund të kërkosh më mirë. Por, Emre Can mbrojtës i majtë!!!
Do të jetë interesante të shohim si do të veprojnë pa Lahmin. Mesfusha është e shkëlqyeshme me Ozilin e Mullerin të cilin më shumë e shoh në sulm se në mesfushë. Janë të përkryer si ekip, dhe e vetmja gjë negative mund të jetë udhëheqja nga stoli.
Grupi do të kalohet, por në momentin që shfaqen Italia e Spanja, edhe në këtë gjendje, Gjermania është jashtë.
Ukraina
Shumica e lojtarëve të Ukrainës e kanë vendin në stol, përkrah Shevchenkos e moshatarëve të tyre të tjerë. Tymoschuk me 37 vjet është kapiten!! Yarmolenko, Konoplyanka, Zozulya janë të gatshëm për të bart në supe këtë kombëtare, vetëm sikur të kishin më shumë hapësirë e liri lidershipi në fushë.
Janë ekip i përbërë nga gjenerata të përziera, nuk është realizuar një tranzicion i plotë dhe kjo mund të lëndoj rrjedhshmërinë në lojën e tyre. Duhet të kenë kujdes në kundërsulmet e tyre, pasi mbrojtja nuk është edhe aq dinamike.
Grupin besoj që do ta kalojnë e ku mbërrijnë varet nga kundërshtarët e radhës.
Polonia
Edhe polakët do të kalojnë grupin. Kanë një ekip të mirë, por jo të gatshëm për befasi - gjysmëfinale. Milik e Zielinski janë ndër yjet që po lindin, derisa Lewandowski, Kuba, e sidomos këtë sezon Krychowiak kohë kanë dëshmuar veten.
Përparësi e tyre është përgatitja psikike pasi nuk i frikësohen ekipeve kundërshtare. Një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve të tyre luajnë apo së paku kanë luajtur në Bundesligë që largon inferioritetin psikik ndaj përbërjes së Gjermanisë. Irlanda Veriore e Ukraina nuk mund të maten me këta.
Irlanda Veriore
Roy Carroll është akoma aktiv. Pos në portë ku janë jo të sigurt për mendimin tim, diçka larg Polonisë, Irlanda e Michael (jo Martin) O’Neill është mesatarisht e mirë. Evans e McNair janë në qendër të mbrojtjes, derisa edhe më mirë janë në mes me Steven Davis dhe Niall McGinn. Ky i fundit ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm tek Aberdeen, dhe nëse i ka mbetur diçka në rezervuarin e tij nga vjeshta atëherë mund të shpresojnë në rezultat të mirë.
Kyle Lafferty ka pasur problem të gjej hapësirë në Norwich e Birmingham City, por shtatë golat e tij në kualifikime u japin shpresë pak irlandezëve të cilët nuk besoj që do të kalojnë grupin, apo të fitojnë pikë.
PARASHIKIMI > Renditja: Gjermania 6 pikë, Ukraina 6 pikë, Polonia 6 pikë, Irlanda Veriore 0 pikë