GRUPI E
Këtu fshihet kampioni europian
Shkruan: Luan MORINA
8 June, 2016 @22:33
Belgjika
Njihuni me kampionët e ardhshëm evropian!
Nëse Kroacia do të duhej të luante me 6 mesfushorë, atëherë Belgjika do të duhej të luante me katër qendërmbrojtësa. Alderweireld mund të luaj edhe në krah të djathtë. Vertonghen në të majtin. Vermaelen (nëse është akoma aktiv në futboll) në qendër me Denayerin. Lëndimet mbajnë jashtë Boyatan, Lombaertsin, e Kompanyn. Cavanda ka qenë i mirë tek Trabzonspor këtë sezon, ama nuk ka gjet vend.
Një mesfushë si e Francës – mesfushorë qendror në Fellainin, Nainggolanin e Dembelen për krahët si De Bruyne e Hazard, dhe Lukakun në qendër. Kështu rezervë po mbetet Wistel, Carrasco, e Benteke! Courtois në portë. Ekip ëndrrash, a po?
Epo kësisoj ëndrra di të mos kthej në realitet Marc Wilmots. Ka dështuar në Brazil, po të dështonte edhe me këta lojtarë – çfarëdo më pak se gjysmëfinalja është dështim, do të duhej të dëbohej nga Belgjika, ngjashëm si imigrantët! Janë ekip i denjë për kampion, janë ekipi më i kompletuar nëse shohim sukseset individuale të atyre që janë ftuar.
Italia
Mjerë fansat e Chelseat kë do të kenë trajner! Nejse, së paku deri në shkurt, pastaj do të marrin përsëri Hiddinkun, përkohësisht deri në verë!
Formacioni nervaprishës, tipik italian me tre qendërmbrojtës – përfshirë rezervat e Juventusit, mesfushë me krahë në ‘maradonën’ italian, të madhin Emanuele Giaccherini i cili nuk ka zënë vend as në ligën kineze, por do të nis ndeshjet para Bernadeschit, Florenzit, dhe Bonaventurës; me Thiago Mottan në mesfushë, në krah me De Rossin, e Parolon para Jorginhos e Beneassit nuk di çfarë suksesi mund të pritet.
Së paku sulmi, që pritet të jetë me një në hije dhe një 9sh klasik, besoj Insigne – Pelle, do të jetë në nivel të katër herë kampionit të botës.
Megjithatë, Berardi është lënë jashtë!
Italia me Conten është ekip i dështuar! Nuk luajnë futboll të bukur, por edhe ky futboll i bajatshëm nuk sjell rezultate. Paramendojeni një finale Italia – Spanja, me ‘bukurinë’ dhe ‘artin’ që kishin shfaqur këtë pranverë në miqësore!
Irlanda
Ekipi i Martin O’Neill është mirë i komponuar. Ciaran Clark me O’Shea, e Coleman në mbrojtje janë përbërje e mirë. Mesfusha ka James McCarthyn e Aiden McGeadyn, por asgjë nuk e kalon sulmin me formën e shkëlqyeshme të Shane Long i cili ka qenë bombardues në pranverë tek Southampton.
Në përgjithësi janë ekip në moshë, dhe atë ndoshta pak të tepruar. Zor që mund të shtyhen me këmbëshpejtët e Belgjikës, dhe nerva-prishësit e Italisë. As me Suedinë nuk e kanë keq. E vetmja zgjidhje mbetet ana taktike e O’Neill dhe Roy Keane.
Grupi do të jetë vështirë për tu kaluar.
Suedia
Nuk është Suedia më e mirë që njohim. Gjithçka nis dhe mbaron me Ibrahimovicin i cili do të mbyllte karrierën me ndonjë çerekfinale në mënyrën më të mirë. Por, kam frikë që mallkimi i Portugalisë do të ndjek suedezët edhe këtë kampionat.
John Guidetti është në sulm me Bergun. Mesfusha udhëhiqet nga ish-lojtari i Arsenalit, Kim Kallstrom. Sebastian Larsson e Albin Ekdal pritet të jenë në krahë të tij, ama pa ndonjë ndikim në lojë. Së paku mbrojtja është më e mirë me Olsson, Lustig, e Granqvist.
Kanë Ibrahimovicin, por edhe ai është plakur pak, dhe dikush duhet ti jap topa atij. Vetëm me të zor që mund të kalojnë grupin.
PARASHIKIMI > Renditja: Belgjika 9 pikë, Italia 6 pikë, Suedia 1 pikë, Irlanda 1 pikë