VENDIM I KV

Pamje nga arkivi
I hiqet kartoni i kuq
13 September, 2021 @17:45
Pas reagimit të ashpër të KF Dukagjini mbrëmë menjëherë pas ndeshjes Gjilani-Dukagjini, ka reaguar sot Komisioni për Vlerësim i Superligës me anëtarë Malazog Hoxha, Ismet Shurdhani dhe Ergyn Janovali.
>> Reagimi i Dukagjinit dhe rasti i diskutueshëm
Pas rishikimit të situatës dhe analizimit të video-inçizimit është marrë vendim që futbollistit të KF Dukagjini, Bujar Shabani, t’i hiqet kartoni i kuq dhe i njëjti do të ketë të drejtë të aktivizohet që në ndeshjen e radhës në garat e futbollit.
“Komisioni për Vlerësim në mbledhjen e mbajtur më datën 13 shtator, ka analizuar dhe vlerësuar situatën e krijuar në ndeshjen SC Gjilani – KF Dukagjini, ku gjyqtari Besfort Kosumi, ka ndëshkuar lojtarin e KF Dukagjini, Bujar Shabani, me kartonin e dytë të verdhë dhe të kuq. Komisioni pas shikimit me kujdes të video-incizimit të kësaj ndeshje dhe përshkrimit të vëzhguesit të gjyqtarëve në raport, ka konstatuar se ndëshkimi me kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtim nga ndeshja për lojtarin Bujar Shabani nuk ka qenë i drejtë. Kësisoj, Komisioni për Vlerësim ka marrë vendim se lojtarit të lartcekur t’i hiqet kartoni i kuq i dhënë në këtë ndeshje dhe i njëjti ka të drejtë të aktivizohet në ndeshjen e radhës,” ka shkruar FFK në njoftimin e lëshuar sot.
Kështu, Dukagjini i drejtuar nga Armend Dallku do të ketë në dispozicion mesfushorin me përvojë, për ndeshjen e radhës, të xhiros së katërt të Superligës, ku ekipi klinas luan ndaj Feronikelit si mysafir.