GUGASH MAGANI - TRAJNER I TREPÇËS'89
I papranueshëm barazimi në këto kushte
21 September, 2018 @18:50
Trajneri i ekipit që para dy stinorëve ishte kampion i Kosovës, Gugash Magani, në deklaratën e tij të sotme pas barazimit ndaj Ballkanit ka bërë të ditur se ky rezultat është i papranueshëm për Trepçën’89.
Magani, trajner nga Shqipëria dhe me përvojë, ka shtuar se në kushtet e lojës së sotme, posaçërisht pasi që Ballkani mbeti me 10 lojtarë në fushë, ekipi i tij Trepça’89 është dashur ta fitojë atë.
“Barazimi me numër lojtarësh të barabartë në fushë, do të ishte rezultat i pranueshëm. Ndërsa, kundërshtari me një lojtar më pak, e bën rezultatin e papranueshëm për ne,” ka thënë Magani pas ndeshjes.
Ai më tej ka shtuar se do të bisedojë me kryetarin e ekipit për këtë çështje, pasi që gjërat nuk po shkojnë si duhet.
“Do të flasim me kryetarin e klubit pasi që gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Megjithatë, kam besim përsëri në këtë ekip. Por, ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Për këtë do të flasim me kryetarin,” ka thënë Magani.
Trepça’89, që konsiderohet si njëra ndër ekipet më serioze të Superligës, ka nisur jo në mënyrë më të mirë stinorin 2018/19. Ekipi nga “Riza Lushta” aktualisht ka vetëm një fitore, ka regjistruar barazimin e tretë sot dhe ka dy humbje - që me 6 pikë e vendosin në pjesën e poshtme të klasifikimit në elitë të futbollit.
Mitrovicasit, që në xhiron e radhës do të ndeshen me Ferizajin, me një ndeshje më shumë nga kryesuesit e Superligës, janë 7 pikë larg kreut të tabelës.