SAMI SERMAXHAJ - KRYETRAJNER I KF BALLKANIT
Lojtarët sakrifikuan, shumë komplimente
21 September, 2018 @18:39
Pas barazimit në ndeshjen e sotme ndaj Trepçës’89, trajneri i Ballkanit, Sami Sermaxhaj, në deklaratën e tij pas ndeshjes ka thënë se ekipi u pajtua me një pikë në momentin kur mbetën me 10 lojtarë në fushë.
Ai ka komplimentuar lojtarët e tij që nuk u dorëzuan përkundër epërsisë numerike të kundërshtarit përgjatë pothuajse tërë pjesës së dytë, pasi që Egzon Shabani ishte ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 49-të të ndeshjes.
“Mendoj se pas kartonit të kuq u pajtuam me një pikë. Jam shumë i sigurtë që të gjithë lojtarët kanë pasur dëshirë që të shënonim në këtë ndeshje, por nuk e arritën këtë,” ka thënë Sermaxhaj.
“Shumë komplimente për lojtarët që sakrifikuan dhe nuk u mposhtën. Do të mundohemi që të nxjerrim maksimumim nga kjo skuadër në xhirot në vazhdim,” ka shtuar ai.
Ballkani ka nisur tejet mirë stinorin 2018/19 në Superligë, edhe pse nuk llogaritej shumë para fillimit të saj, duke ditur që është ekip që arriti nga Liga e Parë.
Mirëpo, ekipi që nisi stinorin me Bekim Shotanin trajner dhe pas largimit të tij ka vazhduar me Sami Sermaxhajn është duke treguar lojëra tejet të mira dhe aktualisht mban pozitën e pestë në klasifikim pas gjashtë xhirove me 8 pikë të tubuara, ku kanë regjistruar nga 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.
Ballkani ende nuk ka përjetuar disfatë nën drejtimin e Sermaxhajt, që ka marrë ekipin qe tre xhiro.