5 PËR VIKEND
TOP 5 ndeshjet e fundjavës
Shkruan: LUAN MORINA
21 September, 2018 @14:01
Pesë duelet më interesante nga ligat kryesore evropiane me derbit ku priten ndeshje të jashtëzakonshme duke parë situatën aktuale të klubeve…
Manchester Utd – Wolves (e shtunë, ora 4)
Herën e fundit kur këto dy ekipe janë takuar ndërmjet vete, Paul Pogba është aktivizuar në minutën e 58të në vend të Michael Carrick, kur në ‘Moulineux’, ManUtd fitonte 5-0 kundër Wolves. Në vjeshtën e vitit 2011, fitonin 4-1 në Old Trafford.
Gjërat kanë ndryshuar tash 7 vite më vonë, me Carrickun ndihmëstrajner e Pogban kapiten. Francezi ka gjetur formë të mirë, bashkë me Shaw, dhe ndoshta mund të përfundojmë që kritikat e Mourinhos po kryejnë punë?!
Nuk ka shtatë vite, por ka kohë të gjatë që kur Manchester ka luajtur me dy mbrojtës origjinal krahu – Dalot edhe Shaw ishin të mirë kundër Young Boys. Fitorja kundër zviceranëve ishte më e vështirë se që mund të duket në letër. Forma e mirë s’do të jetë e lehtë për t’u mbajtur kundër ekipit që ka më shumë portugez se Benfica a Porto.
Ekipi i Nuno Espirito Santo përkundër rezultateve jobindëse, ka dëshmuar veten të gatshëm për tu përballur me ekipe nga top6, dhe çdo javë vetëm sa kompozohet ekipi edhe më mirë. Neves e Moutinho kombinojnë mesfushën me talentin dhe përvojën e duhur, para treshes mbrojtëse me Coady-Boly-Bennet. E edhe Raul Jimenez ka nisur të gjejë portën rregullisht. S’duhet të jetë aspak lojë e lehtë për Manchesterin.
Schalke – Bayern (e shtunë, ora 6e30)
Schalke nuk ka nisur sezonin mirë. Shansi evropian për t’u këndellur u lëshua, dhe me shumë gjasë pas katër xhirove do të mbeten pa asnjë pikë, që për nënkampionët gjerman është rezultat jo aq i këndshëm. Fitorja e fundit ndaj Bayernit në ligë daton në vitin 2009. Për fitoren e fundit në Gelsenkirchen duhet të shkojmë edhe katër vite më tej në kohë, kur drejtori sportiv i tashëm i Bayernit, Hasan Salihamidzic ende luante futboll! Lëndimet në mesfushë, sidomos i Stamboulit i cili më shumë ka luajtur mbrojtës po lëndojnë ‘milionerët’. Por, gjëja më pozitive është shpërthimi i Embolos i cili ka shënuar dy herë në dy ndeshjet e fundit.
Lëndimet po mundojnë edhe bavarezët. Coman zor që kthehet këtë vit, e Tolisso ka përfunduar sezonin. Goli i Renatos duhet të jetë motivim për të, gjersa Lewandowski tashmë në pesë ndeshje ka shtatë gola. Niko Kovac e ka nisur mbarë me Bayernin, dhe besoj që kjo do të vazhdoj edhe pas kësaj jave.
Sampdoria – Internazionale (e shtunë, ora 8e30)
Sampdoria lëshoi rastin për të kaluar në pozitën e dytë në renditje në ndeshjen e mbetur me Fiorentinën. Në dy ndeshjet e parafundit kanë shënuar tetë gola, përfshirë tre kundër Napolit. Giampaolo ka mbuluar largimin e Toqueiras me Ekdalin, gjersa Defrel po del të jetë ardhje e qëlluar në sulm. Kundër Interit të ‘ndezur’ pas fitores ndaj Tottenhamit, s’do ta kenë të lehtë. Sidomos për faktin që Icardi sezonin e kaluar në këtë përballje kishte shënuar katër gola!
Sulmuesi argjentinas vjen pas një super-goli në Ligën e Kampionëve. Një fitore e ardhur pas një loje jo aq dominuese mund të jetë ilaçi kryesor për të këndellur nerazurët në Serie A. Do të jetë interesante të shohim se a do të aktivizojë Spalletti përsëri Skriniarin në krahun e djathtë, para D’Ambrosios.
PSV – Ajax (e diel, ora 15n5)
Para humbjes kundër Barcelonës, PSV kishte shënuar dy fitoret e fundit në Eredivisie me rezultat total prej 13-1! Një ekip që vlon prej talenteve, të motivuara për të dëshmuar të kundërtën e përvojës së tyre të parë në Evropë, mund të shfryhen në Ajaxin. Lozanon tashmë e kemi par në Kupën e Botës. Pereiro e Bergwijn janë armët tjera të mesfushës, të ndihmuara nga krahët e mbrojtjes të ardhur këtë verë, Dumfries dhe Angelino!
Hiç më dobët nuk janë as Ajax. Pa llogaritur fitoren kundër AEK-ut, në dy ndeshjet e fundit, 7-0; në tri të fundit 12-0 në Eredivisie! Transferimi më i shtrenjtë (11.4 milion euro), serbi Dusan Tadic është kthyer në një lider ekipi që po ndihmohet nga talentet në të tria repartet e ekipit, por mbi të gjitha nga veterani Klaas-Jan Huntelaar! Holandezi tashmë ka shënuar dhjetë gola këtë sezon, tre më shumë se serbi, ndonëse në ‘Phillips’ s’do të jetë lehtë të gjendet goli, aq më pak fitorja!
Lyon – Marseille (e diel, ora 9)
Të hënën në ora 8 në mbrëmje keni derbin turk ndërmjet Fenerbahces në formë të dobët dhe Besiktasit pak më të kthjelltë. Të dielën në ora 10:45 në mbrëmje është superclasico ndërmjet Boca Juniors dhe River Plate. E në Francë, më herët, në ora 3 pasdite PSG i udhëton Rennes në ndoshta sfidën më të vështirë të tyre në Ligue 1 këtë sezon.
Por, ndeshja kryesore këtë xhiro në Ligue 1 do të duhej të jetë ndërmjet Lyonit dhe Marseilles. Përballja në ‘Velodrome’ këtë pranverë kishte qenë njëra ndër ndeshjet më interesante të sezonit në Francë, me një gol të shkëlqyeshëm të Depay. Lyon vijnë të motivuar pas fitores në Manchester kundër City, ndërkohë Marseille provojnë të marrin të mbarën pas dështimit të turpshëm në pjesën e dytë kundër Eintrachtit të Frankfurtit. Që të dyja luftojnë për një pozitë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm.