DITARI NR. 2
Inati
Shkruan: Luan MORINA
12 June, 2016 @0:54
Inati
Mirë ka thënë Edi Rama – ne s’mund të presim të bëhemi kampion.
Por, mund të presim të shënojmë nga pozita ballë për ballë me portierin; të jemi më gjakftohtë në ndërhyrje; të mos zhdukemi në fushë; të bëjmë zëvendësimet me kohë, dhe rezultati do të vije. Është gjynah që nuk arritëm të marrim së paku një pikë.
Nëse nisim të përdorim pyetjen e ekonomistëve ‘çfarë nëse’ atëherë alternativat do të ishin të panumërta. Për shembull çfarë nëse Cana nuk do të merrte të kuqin?! Shqipëria do të qëndronte me ‘liderin’ që ka kaluar zenitin e karrierës futbollistike tashmë një kohë dhe do të pësonte edhe më keq. Ndërhyrja, kartoni i parë i verdhë, nuk ishte e nevojshme. Ama bash hiq nuk ishte e nevojshme. Pikësëpari çfarë lypte Cana aty para Kukelit e Xhakës?!
Goli u pësua nga pakujdesia në mbrojtje, rrëshqitja e Mavrajt dhe keqkalkulimi i Berishës. Ishte gol i lehtë, për këtë edhe është inati – që humbim me një gol i tillë. Inati është që nuk ditëm të shfrytëzojmë Djouroun. Strategjia ishte e thjeshtë, vendos dikë në krah të Sadikut, më në qendër dhe kryhej puna. Në ato çaste që Lenjani afrohej kah qendra e sulmit, ishim të rrezikshëm. Në fakt Ermiri do të duhej të provonte shutin në nja dy raste që kishte. Pos Lenjanit, Hysaj ka qenë i mahnitshëm, si në krah, si në qendër. Berisha ka bërë punën kryesore pas gabimit fillestar. Xhaka e Kukeli s’kanë qenë keq. Interesante ishte të shihnim Roshin në lojë! Nëse e keni parë atëherë sigurisht nuk keni nevojë për syze!
Zëvendësimi i Kaçes nuk ishte me mend. Çikalleshi dhe sidomos Gashi u angazhuan tepër vonë për të bërë diçka më të veçantë, përkundër rastit të këtij të fundit.
Ishim të dobët në duele ajrore me harkimet që përfundonin një deri dy metër më gjatë ose më shkurt se ku duhej të shkonin. Humbnim shumë topa të panevojshëm në mesfushë. Dhe sigurisht, nuk konkretizuam kur nevojitej.
Zvicra ishte nën atë se çfarë mund të bëjnë, sidomos mesfusha. Me Francën, e sidomos me Rumaninë mund të mos qëllojmë kaq me fat. Akoma nuk ka përfunduar kampionati për neve.
Hodgsoni
Selektorët në këtë kampionat po hezitojnë në kryerjen e zëvendësimeve. Për pak sa nuk i kushtoi kjo Deschampit të premten, derisa nuk iu fal si De Biassit, njëjtë edhe Hodgsonit. Derisa italiani bëri zëvendësimet e duhura, por pak vonë, Hodgsoni edhe i bëri vonë edhe i bëri pavend.
Ky ekip i Anglisë, fatkeqësisht nuk ka lojtarë më me përvojë se Rooney. Lojtarë si ai nevojiten për të mbyllur lojën edhe nëse nuk kanë asnjë grimë force për të vazhduar. Wilshere nuk qe i keq për atë kohë sa ishte, mirëpo do të duhej të futen në vend të Sterlingut ose Llallanas. Kane ishte i lodhur në fund, rasti i ofsajdit dëshmon më së miri këtë. Nime me çfarë mend vendoset Kane të ekzekutoj kornerët?! Hodgsoni!! Milner ka përvojë, dhe përsëri fatkeqësisht është ndër të paktit mesfushorë defanziv, por ishte në pozitën e gabuar në momentin e gabuar.
Anglezët kanë mundur të mbyllnin lojën, qysh në pjesën e parë. Rusët nuk ishin kërkah, por në pjesën e dytë arritën të ngrehnin në krahë mesfushën me Sterlingun e Llallanan që nuk kontribuonin në mbrojtje. Ndërhyrjet, pjesa defensive e mesfushës me vetëm Dierin nuk mjaftonte. Nuk do të mjafton. Rusi më të keqe s’ka pas. As nuk do të ketë! Por, Angli më të keqe ka pas, dhe me Hodgsonin do të ketë. Gjynah është të humbet një gjeneratë e talenteve që kanë shkëlqyer kryesisht falë Pochettinos dhe punës së tij tek Tottenham. Sa më shumë Spurs aq më e mirë Anglia!
Kozaku
Për dallim nga të tjerët, Jan Kozak futi Nemecin dhe Dudan në lojë në minutën e 60të. Një minutë më pas erdhi goli. Edhe atë nga Duda. Ky u fut në vend të Hrosovskyt që luante pas Hamsikut e Kuckas. Këta dy mbetën në pjesën e prapme të fushës, Duda menjëherë pas Nemecit, derisa krahët e sulmit, Mak dhe Weiss u zhvendosën më ka qendra duke u lejuar më shumë hapësirë krahëve të mbrojtjes. Kjo shkaktoi një huti momentale tek Uellsi që rezultoi me golin e sllovakëve, të cilët megjithatë nuk merituan një pikë. As Skrtel s’ka merituar të mbyll ndeshjen në fushë, por futbolli është i padrejtë nganjëherë.
Goli i fitores ishte i lehtë, derisa me Bale jemi mësuar. Uellsi nuk ka kushedi çfarë kualiteti por Rusinë mund ta mposht. Për rrethin e dytë kanë kualitet. Veç Bale më mirë do të ishte me një sulmues tjetër si 9sh, e jo ai të bënte këtë punë pasi Ramsey nuk është njeri që jep topa.
Të dielën…
Ndeshja kryesore zhvillohet ditën. Kroatët nuk janë të këqij, por mendoj se trajneri nuk është i denjë për këtë ekip. Turqit janë ‘me rrebe’. Nëse janë në qejf mund të bëjnë mrekullira, nëse jo, vet e humbin lojën. Kanë shumëçka për të sqaruar mes vete këto dy kombëtare. Luajnë futboll guximtar, dhe më në fund mund të shohim shumë gola, mbi katër.
Edhe Polonia ndoshta pret të shënoj shumë, por lehtë mund të befasohet nga Irlanda Veriore. Gjermania dhe Ukraina do të jetë interesante. Muller e Ozil mund të bëjnë diferencën. Gjermania duhet të dëshmoj që Sllovakia ka qenë veç një ditë e keqe.
Parashikimi personal në UEFA.com:
Turqia – Kroacia 2-2
Polonia – Irlanda Veriore 2-0
Gjermania – Ukraina 3-1