DE BIASI
Jemi grup i fortë
26 March, 2013 @22:16
Menjëherë pas fitores madhore sonte, përkundër se ndeshje miqësore, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka folur për televizionin shqiptar.
“Isha i frikësuar nga euforia e futbollistëve pas fitores së madhe ndaj Norvegjisë, por ata dolën të jenë shumë të pjekur sonte,” ka thënë De Biasi në bisedën e realizuar në Qemal Stafa.
Ndërkaq në pyetjen që erdhi nga analisti i TVSH-së lidhur me mungesën e tërë krahut të djathtë në ndeshje ndaj norvegjesëve (Andi Lila dhe Odise Roshi) italiani ka gjetur zgjidhjen që tash.
“Tashmë Shqipëria nuk varet nga individët. Kemi bërë një grup të fortë të lojtarëve të cilët kur bashkëpunojnë po tregojnë rezultat,” ka shpjeguar De Biasi duke mos dhënë emra për zëvendësimet e dyshes së përmendur. E ndërkohë ka përmendur kritikën ndaj Roshit, i cili kartonin e parë të verdhë e morri duke e zhveshur fanellën pas golit ndaj Sllovenisë.
“I kam thënë, mos bëni gjëra të tilla sepse rruga është e gjatë dhe ja tani, duhet të luajmë pa të,” ka kujtuar De Biasi kartonin e parë të Roshit.
Shqipëria ka shënuar fitoren e dytë brenda pesë ditëve, ndërsa Gianni De Biasi ka hyrë në histori të përzgjedhësve të huaj të kombëtares si trajneri më i suksesshëm në pesë ndeshjet e para zyrtare të saj.