KOSOVA - BULLGARIA
Kosova e pafat, “kënaqet” me barazim
25 March, 2019 @22:34
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është ndarë me një pikë nga ndeshja e parë në kualifikimet për Kampionatin Europian, duke barazuar me Bullgarinë me rezultat 1-1.
Dardanët patën raste të shumta shënimi, por vetëm njërin prej tyre arritën ta finalizojnë, derisa Bullgaria përveç golit pati vetëm disa gjysmëraste, sa për mos të thënë fare.
Rasti i parë erdhi në minutën e nëntë, kur Milot Rashica e dribloi portierin kundërshtar brenda zonës së reptësisë dhe gjuajti drejt portës, por topi u ndal pak para vijës përfundimtare të golit nga mbrojtësi Nedyalkov.
Kosova rrezikoi edhe me Bersant Celinën në minutën 35’ i cili goditi furishëm nga distanca, por që portieri Mihaylov u tregua i vëmendshëm.
Vetëm katër minuta pas rastit të mirë të Celinës, bullgarët u kundërpërgjigjën me mbrojtësin Vasil Bozhikov, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Nedelev nga korneri.
#KOSBUL This is how @Team_Bulgaria opened the scoring against Kosovo thanks to Bozhikov's header #Euro2020 pic.twitter.com/4z3iH24EXE
— mshumanov (@shumansko) March 25, 2019
Menjëherë pas golit të mysafirëve, dardanët patën edhe dy raste shumë të mira shënimi para se të shkojnë në pushim me anë të Milot Rashicës dhe Mërgim Vojvodës, por asnjëri prej tyre nuk arriti të realizojë.
Në fillim të pjesës së dytë Kosova bëri një gabim në mbrojtje dhe bullgarët menjëherë rrezikuan me anë të Malinovit, por goditja e tij u devijua nga Fidan Aliti. Tre minuta pas këtij rasti sulmuesi Vedat Muriqi u gjend në pozitë të mirë shënoi, i cili vecse e kishte mposhtur portierin Mihaylov, por jo edhe shtyllën pingule të kundërshtarit.
Disavantazhi në rezultat e detyroi përzgjedhësin Challandes të bëjë disa ndryshime në lojë, i cili ende pa u bë minuta 60’ e zëvendësoi Bersant Celinën dhe Herolind Shalën me dyshen Edon Zhegrova dhe Besar Halimi.
Ndryshimet e bëra dhanë rezultat të shpejtë pasi në minutën 61’ në skenë doli Arbër Zeneli, i cili mjeshtërisht me stilin e tij të zakonshëm shënoi për 1-1 dhe i ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit që ishin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
What a spectacular goal by Kosovo's Zeneli.
— Admirim (@admirim) March 25, 2019
Kosovo-Bulgaria 1:1 pic.twitter.com/y41K32EGF2
Zeneli rrezikoi edhe njëherë nga goditja e lirë në minutë 87’, kur goditja e tij direkte drejt portës përfundoi në jashtë cakut.
Dy minuta më vonë edhe Rashica kishte rast ideal shënimi, por goditja e tij brenda zonës së reptësisë u ndal nga portieri kundërshtar, ndërsa më pas topin i devijuar u godit drejt autit nga ana e Edon Zhegrovës.
Në fund ndeshja përfundoi me rezultat 1-1 për t’i ndarë secila skuadër nga një pikë për vete.
Me këtë rezultat, seria pa humbje e Kosovës është rritur në 12 ndeshje, kurse për Bullgarinë kjo ishte barazimi i dytë në po aq ndeshje në kuadër të këtyre kualifikimeve.
Ndeshjet e radhës Kosova do t’i luajë në muajin qershor kundër Malit të Zi në Podgoricë dhe përsëri kundër Bullgarisë, por kësaj radhe në Sofie.