BULLGARIA - KOSOVA
Kosova shkruan histori në Sofje!
10 June, 2019 @22:39
Pas dy barazimeve në dy ndeshjet e para në Grupin A kualifikues drejt EURO2020, Kosova ka arritur të shënojë fitore dramatike ndaj Bullgarisë në Sofje, për ta arritur kështu për herë të parë në histori të saj një trepikësh në një ndeshje kualifikuese. Fitorja e sotme bën që Kosova tashmë të jetë e pamposhtur për 14 ndeshje me radhë, një statistikë impresionuese!
Përgjatë gjithë ndeshjes Kosova ishte skuadër më e mirë, ndërkohë që fitorja erdhi në sekondat e fundit falë golit që erdhi nga i inkuadruari Elbasan Rashani.
Pas një topi të larguar jo mirë nga mbrojtja vendase pas një krosimi të Mërgim Vojvodës, më së miri në zonë u gjend Milot Rashica, i cili formën fantastike e vazhdoi edhe sonte, duke shënuar për 0-1 në minutën e 14’ të ndeshjes.
Më pas, e gjithë pjesa e parë kaloi me Kosovën dominuese, e cila rastin më të mirë pas golit të shënuar e kishte përmes Bersant Celinës, i cili goditi nga pak jashtë zone rreth 10 minuta para përfundimit të pjesës së parë, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri i bullgarëve.
EURO 2020 - GRUPET KUALIFIKUESE
Pak para se skuadrat të shkonin në pushim, një top i humbur në mesfushën e Kosovës u shfrytëzua për mrekulli nga bullgarët, të cilët barazuan pas goditjes së kapitenit Ivelin Popov, i cili shënoi në minutën e 43’ dhe dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabartë.
E pjesa e dytë filloi mjaft mirë për bullgarët, të cilat duke e shfrytëzuar një rënie të mesfushës tonë, rrezikuan disa herë radhazi, derisa e gjetën golin përmes të inkuadruarit Dimitrov, i cili në minutën e 55’ shënoi me kokë pas krosimit nga këndi, njëjtë siç kishin shënuar bullgarët edhe në ndeshjen e parë në Prishtinë.
Pastaj, mesfusha e Kosovës u stablizua me inkuadrimin e Anel Rashkajt dhe barazimi erdhi përmes Vedat Muriqit, i cili shënoi me kokë pas krosimit të Benjamin Kolollit në minutën e 63’.
Pas golit të barazimit, Kosova krijoi raste të njëpasnjëshme për shënim, e kjo iu shpërblye në minutën e 3’ të kohës shtesë, me Elbasan Rashanin që shënoi për 2-3 pas një krosimi nga Milot Rashica, për t’ia dhënë kështu Kosovës fitoren e parë në një ndeshje kualifikuese.
E rëndësishme kjo ndeshje ishte për Florent Hadërgjonajn, i cili debutoi për herë të parë me fanellën e Kosovës, ndërkohë që zhvilloi paraqitje mjaft të mirë.
Për t’u përmendur është fakti që Kosova sot ishte në mungesë të katër lojtarëve mjaft të rëndësishëm. Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Valon Berisha e Arbër Zeneli munguan sonte, duke bërë që skuadra të ishte dukshëm më e mangët, por kjo nuk i ndali djemtë e drejtuar nga Challandes që të zhvillojnë një ndeshje fantastike dhe të kthehen me pikë të plota nga Bullgaria.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të kualifikimeve drejt EURO2020 Kosova e luan ndaj Çekisë në shtëpi më 7 shtator, para se t’i shkojë Anglisë më 10 shtator.