MIQËSORE

FOTO / FFK
Kosova zhvillon stërvitjen e parë për ndeshjet e qershorit
Teksti: FFK
28 May, 2021 @23:28
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar mbrëmjen e sotme seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të fillimqershorit, kundër San Marinos, më 1 qershor në Prishtinë dhe kundër Maltës, më 4 qershor, Klagenfurt të Austrisë.
Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm 20 futbollistë, derisa tre të ftuarit e tjerë të këtij grumbullimi Bashkim Ajdini, Astrit Selmani dhe Herolind Shala, do të bashkohen me ekipin të enjten, pasi janë ende të angazhuar në klubet e tyre.
Për herë të parë pjesë e Dardanëve në këtë grumbullim ishin Destan Bajselmani, anëtar i PEC Zwolles, Blendi Idrizi, anëtar i Schalke 04 dhe Lorik Emini, anëtar i Luzernit. Dardanët gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër miqësore, por për dy ndeshjet në Antalia kundër kombëtareve afrikane, Guinesë dhe Gambisë, përzgjedhësi Challandes do ta publikojë listën e futbollistëve javën e ardhshme.
Stërvitja e radhës e Dardanëve mbahet nesër në orën 17:30 (15 minutat e para janë të hapura për media).