DITARI RUS (8)
Kroacia maestrale
Shkruan: LUAN MORINA
21 June, 2018 @22:25
Dallimi ndërmjet ekipeve latine dhe ekipeve të dobëta qëndron në atë se këto të fundit, kundër kundërshtarëve më të mëdhenj, mbrohen vetëm derisa kanë rezultat në favor të tyre. Uruguai, dje mbrohej edhe kur nuk kishte rezultat, edhe kur kishte. Zakonisht marrin një iniciativë disa minute, dhe mbyllen. Kjo i bën shumicën e ndeshjeve të kota, përfshirë edhe atë ndërmjet Uruguait e Arabisë Saudite.
Maroku përsëri ishte i pafat, por së paku na e dëshmoi edhe një herë që mbrojtja e Portugalisë nuk garanton as kalim në çerekfinale, në rast se Irani nuk bën ndonjë befasi, pasi me një fitore do të kalonte tutje! Spanja nuk qe më e mirë se Portugalia, ndonëse ka ekip shumëfish më të mirë, sidomos në mbrojtje!
E mërkura, e cila zakonisht është ditë e futbollit, mbrëmë ishte zhgënjim! Prandaj, edhe ditari mungoi!
NESËR
Të enjten, menjëherë frymë tjetër, edhe në ndeshjet e orës 2 të cilat zakonisht po dalin të jenë më pak interesante.
Danimarka edhe Australia nuk kishin vendosur të kalkulonin, dhe që nga fillimi kishin qëllimin universal në futboll – të shënonin. Të dyja shënuan, për nga një pikë, që më shumë do të ndihmojë Australinë se sa Danimarkën. Danezët me një barazim me francezët, kalojnë së bashku grupin. Në rast të fitores së australianëve, dhe humbjes së danezëve, atëherë kangurët i shohim në rrethin e dytë.
E sot, patëm rastin të shohim një Australi më të hapur, më të guximshme se sa me Francën. Kjo ndikoi rrjedhimisht që edhe danezët të mos mbylleshin, gjë që rezultoi me një gol të bukur të Eriksenit, dhe lëvizje të mira të topit. Pak edhe Lasse Schone, i cili sot nisi lojën pati efekt.
KYLIAN MBAPPE
Më ndryshe ishte në ora 5. Francezët sot ishin më të vendosur të sulmonin sot se sa në lojën e parë. Por, as sot nuk ishin aq efikas. Giroud i nevojitet këtij ekipi për të hapur krahët më shumë, dhe sot vëreheshin edhe Griezzman edhe Mbappe më shumë. Kante ishte më efikas në rikuperimin e topave, e Peru ishte maksimumi që mund të ishte. Ishin të pafat me Danimarkën, dhe kjo mjafton që të mbesin jashtë Kupës së Botës. Së paku ndeshjen e fundit do ta luajnë pa presion
LM10
Pasimi në pjesën e parë, tek Ante Rebic, dëshmon mjeshtrinë që ka Luka Modric në perceptimin e lojës. Një imagjinatë, një mençuri superiore në krahasim me shumicën e organizatorëve në futbollin e sotëm. Goli i parë mund t’i shkruhet gabimit të Caballeros, por, Kroacia ishte më e mirë në çdo pjesë të fushës, në çdo kohë! Bën presion deri në fund të ndeshjes, edhe kur kishin epërsi prej dy golave. Ishin një ekip i përkryer, dhe me meritë morën tri pikë.
Në anën tjetër Sampaoli, provoi të kthehet me tre mbrojtës, pastaj angazhoi dy krahë shtesë me Dybalan e Pavonin bashkë me Higuainin e Messin, por asgjë nuk funksioni. Faji nuk ishte tek mbrojtja e Argjentinës, ishte tek mesfusha e cila nuk mund të mbante topin, të cilin kroatët e shtynin patjetër tek vija e mbrojtësve.
Tashti, fitorja kundër Nigerisë i ngrit në pozitën e dytë që do t’i vendos kundër fituesit të grupit C, me shumë gjasë Francës.
E PREMTE
Brazili e hap me Kosta Rikën, të cilët nuk kanë çfarë të mbrohen më. Brazili duhet të fitoj, dhe të fitoj bindshëm që të mos flirtojë me pozitën e dytë. Islandës i duhet fitorja kundër Nigerisë për të mbajtur shpresat për rrethin e dytë, edhe atë fitore sa më e thellë, pasi gjithçka mund të mbetet tek gol-dallimi në xhiron e tretë. E dita e fundit e javës, mbyllet me derbin e shqiptarëve tanë kundër fqinjëve të veriut!