MOLDAVIA 0-4 SHQIPËRIA
Kuqezinjtë pa presion, shkëlqejnë në Chisinau
14 October, 2019 @22:49
Në tre ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues, Shqipëria ka shënuar 8 gola. Sonte, kuqezinjtë e Edy Rejas pa shumë telashe rrëzuan përtokë Moldavinë në Chisinau, duke u shënuar tre herë që në pjesë të parë të ndeshjes.
Shpejt, saktë dhe pa presion, pasi që gjasat për kualifikim të Shqipërisë u shuan në Stamboll tre ditë më parë, djelmoshat kuqezi luajtën lojë tepër premtuese dhe fituan 0-4 në fund.
Serinë e golave e hapi Sokol Cikalleshi që shënoi në minutën e 22-të ndeshjes për 0-1. Pastaj ka qenë Keidi Bare që shënoi për 0-2 (34’), ndërsa Lorenc Trashi shënoi golin e parë të tij te seniorët në ndeshje zyrtare për 0-3 (40’). Deri në fund të ndeshjes, ka qenë Rei Manaj që ka shënuar në mënyrë magjike, pas pasimit të Odise Roshit për përfundimtaren 0-4 (90’).
Reja i dha rast sot edhe Marash Kumbullës që po luan jashtëzakonshëm te Verona. Kumbulla luajti 5 minutat e fundit të takimit (bashkë me shtesa). Ndërsa rast fitoi edhe Lindon Selahi, që zëvendësoi Baren, gjithashtu në fund të ndeshjes.
Një Shqipëri që po synon të përfundojë grupin në vend të tretë dhe po duket që do të synojë seriozisht në vitin tjetër një luftë nga Liga e Kombeve për të arritur lart përsëri.