KOSOVA 2-0 MALI I ZI
Fitore fantastike, ëndrra vazhdon
14 October, 2019 @22:34
Ëndrra e Kosovës për kualifikim në EURO 2020 po vazhdon. Futbollistët e Kosovës i ndajnë vetëm dy ndeshje të nëntorit nga kualifikimi për në Kampionatin Evropian.
Me paraqitje fantastike sonte në Fadil Vokrrin e stërmbushur dhe nën ovacionet e 12 mijë e 500 fatlumëve me bileta, djelmoshat dardanë kanë arritur që të mposhtin 2-0 Malin e Zi të pagjasë.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e dhjetë të takimit, kur Fidan Aliti për pak nuk e çoi një top të dëbuar pas kornerit në portën e malazezëve.
Shpejt erdhi goli. Që në goditjen e radhës nga këndi, Bersant Celina gjen Amir Rrahmanin në zonë, që me kokë, si zakonisht, shënon për epërsinë 1-0.
Prej këtij momenti, më Mali i Zi u humb. Publiku filloi edhe më brohoritjet, ndërsa futbollistët u çliruan nga presioni dhe sulmet nuk u ndalën.
Ka qenë Vedat Muriqi që provoi në minutën e 23-të të ndeshjes, e më pas Florent Hadërgjonaj. Dy minuta më vonë, Milot Rashica gjuan në rrjetën e jashtme të portës kundërshtare.
Pasoi një rrezikim nga Boljevic, që u ndal për bukuri nga Arijanet Muric. E më pas ka qenë Benjamin Kololli që me një vizion fantastik gjen Hadërgjonajn në anë të djathtë, e ky pason te Muriqi që në tentimin e dytë shënon për 2-0 (34’).
Në pjesë të dytë të ndeshjes, Kosova pati edhe një mori rastesh. Milot Rashica (50’), Muriqi me dy raste, një prej së cilës shtyllë. E topin e dëbuar, Bersant Celina i jashtëzakonshëm në fushë, e çon fare pranë pak portës së malazezëve të humbur.
Rashica tentoi përsëri, por goditja e tij u bllokua (73’). Qendërsulmuesi Muriqi tentoi me të majtën, me shpinë - përsëri jashtë. Fadil Vokrri mbetet i pathyeshëm. Kosova mbetet në garë për EURO 2020, me vetëm një pikë më pak se Çekia para nesh. Ndeshja e radhës luhet pikërisht atje.
14 nëntor është data, ndërsa synimi i Bernard Challandesit me ekipin e tij fantastik në fushë, mbetet një - arritja e EUROs - ëndrra do të vazhdojë në përballjen e radhës në Çeki.