KUSH PRITET TË STARTOJË?
Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Malit të Zi
14 October, 2019 @10:35
Në ndeshjen e radhës kualifikuese të Kosovës në rrugëtim drejt EURO 2020, që zhvillohet sonte ndaj Malit të Zi, pas rezultatit befasues të Çekisë ndaj Anglisë, më nuk ka kalkulime.
Kosova duhet të fitojë për të vazhduar ëndrrën drejt evropianit. E për këtë, selektori Bernard Challandes pritet të dalë me formacion që synon të shënojë sa më shpejt, për të arritur deri te fitorja.
Mali i Zi ende nuk ka shënuar fitore në grup dhe përkundër se këtë e kërkoi ndaj Bullgarisë të premten, nuk e arriti dhe kështu të dy rivalët që qëndrojnë mëposhtë se Kosova në klasifikim, mbesin pa triumf pas gjashtë xhirove të zhvilluara.
Sa i përket 11-shes startuese të Kosovës, Challandes pritet të startojë me Arijanet Muriçin në portë, ndërsa në qendër të mbrojtjes të qëndrojnë dyshja Amir Rrahmani dhe Fidal Aliti. Në krahë, Florent Hadërgjonaj e Mërgim Vojvoda janë në avantazh, por me kthimin e Benjamin Kolollit, ky i fundit mund të hamend selektorin për një pozitë startuese.
Njëjtë, në mes të fushës Idriz Voca pritet të jetë aty, ndërsa në dilemë do të jetë për përballje Besar Halimi apo Herolind Shala, që është rikthyer tashmë. Më ofanziv pritet të jenë i padiskutueshmi Bersant Celina, pastaj i ritkhyeri në 100%-shin e tij dhe lojtari më në formë i Kosovës, Milot Rashica, derisa krahun tjetër në dilemë janë Florent Muslija e Valon Berisha, ku ky i fundit ka përparësi.
Sulmi, i përket qendërsulmuesit klasik të përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.
Kujtojmë, Mali i Zi me Kosovën kanë barazuar në Podgoricë 1-1, në një ndeshje ku lirisht mund të thuhet se tanëve i iku fitorja nga duart, e gjithashtu malazezët janë ekipi që kanë pranuar më së shumti gola në grup, 13 sosh, 3 më shumë se Kosova dhe një më shumë sesa Bullgaria, e fundit në grup.