ANALIZA
Ligue1 2018-19 – Parashikimi
Shkruan: Luan MORINA
10 August, 2018 @19:10
Me Thomas Tuchel, PSG vetëm sa do të jetë më mirë se sezonet e kaluara. Gjermani ka lëvizur drejt zhvendosjes së formacionit në 3-5-2, ndoshta duke parë formën e mahnitshme të Thomas Meunier në Kupën e Botës. Ndonëse ka pasur mungesë të lojtarëve të angazhuar në Kupën e Botës, Tuchel me ekipin e të rinjve ka impresionuar me lojën e bukur, dhe sidomos fitoren e thellë në ndeshjen e superkupës së Francës.
Të kufizuar nga FFP, PSG kanë provuar të shkarkojnë lojtarët të papërdorur rregullisht sezoneve të kaluara, dhe ata që kanë pasur një vlerë më të madhe për të tjerët se sa për vet PSG.
Buffon sjell përvojën e shumë nevojitur tek parisienët dhe bashkë me Thiago Silvan do të bëjnë një dyshe defensive që më shumë se siguri, në lojë do të ofrojë përkrahje morale. Mbappe duhte të ruajë formën e shfaqur në Kupën e Botës; Neymar duhet të mësojë nga e njëjta garë; derisa Guedes, Nkunku e Di Maria janë të gatshëm për pozitën e fundit në tridentin pas Cavanit. Për Weahn mund të jetë herët, por ky sezon duhet të jetë sezoni i pjekurisë për Rabiot dhe Lo Celson.
Rivalët kryesorë të PSG duhet të jenë Olympiquet!
Marsejezët dështuan për shkak të lodhjes sezonin e kaluar, duke u dorëzuar edhe në Europa League më herët se që duhet në ndeshjen finale. Vetëm Duje Caleta-Car dhe Jordan Amavi kanë ardhur këtë verë, derisa Sanson e kapiteni Payet duhet të përkujdesen për mesfushën. Luiz Gustavo duhet të veprojë si mentor për Boubacar Kamaran, gjersa Mitroglou e Germain duhet të jenë më të pafalshëm për kundërshtarët.
Lyon nëse mbajnë Fekirin në klub, dhe të shëndoshë, mund të konkurrojë ndoshta edhe PSG. Nuk kanë bërë gati se asgjë në prurje, pos Ndombele nga Amiens të cilët këtë vit janë ndër ekipet që rrezikojnë rënien. Kompozimi që kanë tashmë, duhet të dalë në pah për të sjellë së paku Ligën e Kampionëve.
Monaco do të duhej të luftonte për Ligën e Kampionëve, tashti me ciklin e ri të lojtarëve që kanë ardhur. Mbappe sivjet ka kaluar zyrtarisht tek PSG, e bashkë me të Lemar e Fabinho mbyllin një cikël tek ekipi i ndoshta mësuesit më të mirë në Evropë, Leonardo Jardim! Golovin, 22 vjeçar, e Geubbels 16 vjeçar janë talentet më të shtrenjta që kanë ardhur tek Monaco këtë verë. Subasic, Glik, e Falcao janë asistentët e Jardim në fushë.
Për Evropë duhet të luftojnë Stade Rennais të cilët kanë larguar Gourcuffët dhe kanë sjellë Sabri Lamouchin si trajnerë, e Clement Grenier si udhëheqës të mesfushës. Patrick Vieira ka marrë përsipër menaxhimin e Nices të cilët tani janë pa Seri, Plea, e La Marchand, dhe vetëm me Danilon e ardhur nga Braga. Bordeaux e Nantes mesa duket do të mbeten një hap larg luftës për Evropë dhe renditja në Top10 duhet të jetë objektivi real.
Lille s’do të duhej të rrezikonte rënien në Ligue2, jo para Toulouse. Reims do të provojnë të përbirohen ndoshta, me Nimes favorite tjetër për rënien nga liga, krahas Amiens të cilët vitin e kaluar bënë mrekulli.