NGA KONFERENCA
Liria me paga deri në 2 mijë euro, kryetari fajëson lojtarët dhe stafin për dështimin
18 May, 2021 @20:33
Skuadra e Lirisë ka kaluar një stinor tjetër të dobët. Prizrenasit janë larg nivelit të dikurshëm kur kanë qenë rivalë të denjë ndaj çdo skuadre tjetër të Superligës.
Sot Liria garon në Ligën e Parë të Kosovës, ndërsa kampionatin e sivjetëm e përfundoi në pozitën e pestë me 26 pikë më pak se pozita e parë që çon direkt në Superligë.
Gjendjen aktuale të klubit e ka vlerësuar si dështim edhe kryetari i klubit, Qemal Krasniqi, i cili sot ka mbajtur një konferencë për shtyp së bashku me disa futbollistë të Lirisë si Robert Gjeraj, Liridon Fetahaj, Valon Bytyqi, Fitim Susuri e Drilon Hodaj.
Kryetari Krasniqi në fillim tha se stinorin e kanë filluar me synime të qarta për rikthim në Superligë, por sipas tij, që nga fillimi ndaj këtij synimi ka pasur neglizhencë nga ana e lojtarëve dhe të stafit.
Ai bëri të ditur se në klub kushtet kanë qenë në nivelin më të mirë, madje me paga deri në 2000 euro, por se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të arritur deri tek suksesi.
“Që nga janari i vitit 2020 e deri më sot jam munduar të jap gjithçka për Lirinë. Nga ajo kohë e deri më sot, klubit për asnjë moment nuk i ka munguar asgjë. Kemi dhënë paga nga më e ulëta 500 euro dhe më e larta 2000 euro. Pagat janë dhënë me rregull deri para dy muajve të fundit. Kemi siguruar ushqim, fjetje, akomodim, rekuizita, transport, faza përgatitore dhe gjithçka tjetër siç është më së miri. Kemi paguar edhe shpenzimet e lojtarëve për lëndime. Pra kemi bërë çdo gjë që klubi të funksionojë dhe të ketë sukses, por ka munguar dëshira, vullneti dhe angazhimi i atyre në fushë”, tha Krasniqi, duke i fajësuar edhe lojtarët që ishin prezentë në konferencë.
Më tej, ai tha se një pjesë të përgjegjësisë e merr edhe për vete, derisa bëri thirrje që të ndryshohet funksionimi i klubit duke e shndërruar atë në klub privat.
“Marr përgjegjësi ndaj asaj që i kam besuar të tjerëve që Lirinë e shohin veç si lekë. Së fundi ju them se kjo mënyrë e funksionimit duhet të ndryshojë sepse nuk po funksionon. Prandaj bëj thirrje institucioneve të Komunës që klubi të shkojë drejt privatizimit”, tha ai.
Liria përveç dështimit në kategorinë e seniorëve, ka treguar paraqitje të dështuar edhe në kategoritë e grupmoshave të reja, pasi që me juniorët aktualisht gjendet në pozitën e tretë nga fundi i tabelës, kurse me kadetët gjendet në pozitën e fundit.
Megjithë dështimit të madh në aspektin sportiv në të gjitha kategoritë, Liria gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur stabilitet financiar, pasi që është financuar nga Komuna e Prizrenit për çdo vit me nga 200 mijë euro.
Më poshtë mund ta shikoni videon e plotë nga TV Prizreni, për konferencën e sotshme të klubit të futbollit Liria.