DITARI NR. 8 @ EURO 2016
Lojë kampioni
Shkruan: Luan MORINA
18 June, 2016 @8:47
RËNIA E NJË IMPERATORI
Do ti kushtoja edhe një titull ‘imprataorit’ Terim, por nuk meriton as të përmendet më. I vetmi ndryshim nga ndeshja e parë ishte angazhimi i Yilmazit në sulm në vend të Tosunit. Turqia kishte qenë shumë më e dobët se që do të përmirësonte vetëm ky ndryshim. Tufan e Ozyakup ishin në mesfushë pa kurrfarë ndikimi në lojë, ngjashëm si Turan e Çalhanoglu.
Pozicionimi, vet formacioni është gabim. Topal e nisi në qendër të mbrojtjes, një veprim i çmendur kur ke Kayan rezervë. Balta më mirë do të funksiononte me Kayan, derisa Topal do të mund të bënte presion, deri diku në mesfushë. Sahin do të duhej të niste, e shumëçka do të duhej të bëhej tek Turqia. Si sot, si kundër Kroacisë kanë pësuar më pak se që kanë merituar. Problemi është i thellë tek ta dhe duhet ndryshime të thella, duke nisur nga shiriti i kapitenit.
FATI I KAMPIONIT
Spanja pati fat. Dy golat erdhën nga gabimet e mbrojtësit turk, derisa i treti nga ofsajdi. Edhe pa këto ata do të fitonin lojën. Nuk luajtën kushedi sa ndryshe nga ndeshja kundër Çekisë. Rezultati mund të jep një pasqyrë më ndryshe, por, Spanja ka kapacitet edhe më të lartë. Nuk janë aty ku mund të jenë. Ku do të mund të ishin. Por, megjithatë janë mirë. Interesante do të jetë ti shohim kundër kroatëve.
PRE E TIFOZËRISË
Kroatët ishin pre e çmendurisë së fansave. Janë popull ultra-nacionalist dhe kjo shprehet në mënyrat më të këqija të mundshme. Për budallallëqe të këtilla kanë mundur të mos jenë fare në këtë kampionat. Por, ja ku janë, duke çuar poshtë një gjeneratë të përkryer mesfushorësh. Fakti që Kovacic, Vrsaljko, Kalinic, e Jedvaj mbesni në bankën rezervë tregon për kapacitetet e kësaj kombëtareje si në rrafshin e talenteve si në rrafshin e mafiozëve që udhëheqin federatën dhe futbollin kroat me marioneta si Cacic. Janë shumë më të mirë se një barazim me Çekinë pensioniste, se një fitore minimale kundër Turqisë.
Shpresoj të jenë shumë më të kompozuar kundër Spanjës dhe një ndeshjeje eventuale kundër Italisë në rrethin eliminator. Mund ti mposhtin të dyja, me pak ndryshime.
KUSH PO BËN LOJË KAMPIONI?
Italia po luan lojë kampioni. Deri të takohet me Spanjën do të vazhdojnë kështu. Por, nëse jemi racional e shohim që 11-shja e Italisë ka vrapuar më së shumti në rrethin e parë, dhe kuptohet janë mbrojtur më së miri. Conte do të merrte edhe Storarin në këtë kampionat po të mos i vinte marre. Ama, një linjë defanzive që ka luajtur mbi 30 ndeshje së bashku kuptohet më mirë mes vete dhe është një përparësi që pak kombëtare e kanë.
Dhe kur lojtari më i dobët për 178 minuta shënon pas një aksioni individual, atëherë nuk di as çfarë të komentosh. Bënë çfarë bënë, i kanë gjashtë pikë pas dy ndeshjeve dhe me pak fat mund të takohen me Çekinë në rrethin e dytë, e pastaj çfarë fatin kanë edhe me Irlandën Veriore në çerekfinale! Nejse, Gjermaninë.
PËR FUNDJAVË
Pres që ndeshja ndërmjet dy kombëtareve më atraktive për mendimin tim në rrethin e parë të jetë edhe më atraktive se të parat. Islanda, e sidomos Hungaria kanë befasuar me lojën e tyre të parezevë, të pafrikshme në rrethin e parë. Tani është koha për goditjet e radhës.
Portugalia do të duhej të mposhte atë Austri të xhiros së parë. Ndërkohë Belgjika mund të përfundoj kampionatin shumë lehtë nëse nuk kanë ndryshuar trajnerin! Kjo sa e di unë nuk ka ndodhur, kështu që ndoshta i shohim në Rusi.