FLAMURTARI - LLAPI
Maliqi vendos për të tretën radhazi
24 November, 2018 @15:28
Dueli i vështirë në stadiumin Xhemajl Ibishi të Prishtinës ndërmjet Flamurtarit dhe Llapit është përcaktuar gjashtë minuta para fundit të ndeshjes.
Ka qenë mesfushori me përvojë i Superligës, Behar Maliqi, që ka shënuar golin e dytë personal të stinorit për t’ia dhënë fitoren ekipit që aktualisht drejtohet nga Bekim Shotani.
Në përgjithësi, kjo ka qenë fitorja e tretë radhazi për Llapin, që vazhdon të mbajë hapin me kryesuesit e renditjes tabelare.
Në anën tjetër, Flamurtari ka pasur disa raste. Ka qenë golashënuesi më i mirë i Superligës aktualisht, Alban Shillova, që ka qenë afër golit në pjesë të parë. I njëjti, ka pasur rast të mirë edhe në fillim të pjesës së dytë, por goli nuk erdh.
E kur të gjitha tentimet e Flamurtarit u shterën, në skenë doli Maliqi për të përcaktuar fituesin. E në fund, Festim Alidema i llapjanëve ka qenë afër që të ngris epërsinë për momente të rehatshme të fundtakimit, por s’pat fat.
Llapi kalon në kuotën e mbi 30 pikëshit me këtë fitore dhe mbetet si ekipi më serioz të luftojë dyshen kryesuese: Prishtinën dhe Feronikelin. Ndërkaq Flamurtari ka regjisturar humbjen e dytë me radhë, e krediti i pikëve të fituara në fillim të stinorit ka filluar t’u harxhohet tashmë.
FORMACIONET STARTUESE:
Flamurtari: Neziri, Maxhuni, Kabashi, Quansah, Dumani, Maliqi, Bruqi, Boshnjaku, Zeqiri, Shabani, Shillova. | |||
Llapi: Ademi, Emini, Blakçori, Jashari, Sinani, Maliqi, Zhdrella, Namani, Hajdari, Alidema, Ramadani. |