KOLUMNE
Maratona e fundvitit!
Shkruan: Luan MORINA
17 December, 2016 @12:42
Para se me marrë pushim për fundvit (keni mjaft opsione me Premier League dhe nivelet tjera të futbollit ma të mirë në botë), një falënderim për juve që na lexoni çdo fundjavë. Qëllimi i kolumnës është që mos të humbisni ndeshje interesante nga koha që keni në dispozicion. Nuk jemi të lidhur me Zonjën Meri të parashohim rezultatet apo me Crystal Palace që të ju shtyjmë t’i shihni ndeshjet e tyre. Aq më pak të ju tregojmë ku e si i shihni këto ndeshje. Nejse, urime festat e vazhdojmë pas turneut të Katër Kërcimoreve.
1.Crystal Palace – Chelsea (e shtunë, ora 1e30)
Crystal Palace luan futboll të hapur. Së paku tenton të luaj dhe kjo falë Alan Pardew. Vitin e kaluar kanë pasur problem me qendërsulmues, por këtë vit kanë Benteken dhe një nuhatje për gol. Chelsea po bën mrekulli. Nëse ia arrijnë të mbesin afër kreut, e lëre më në këtë distancë kah mesi i janarit, atëherë duhet t’i marrim seriozisht. Formacioni i ri për të cilin nuk po kanë zgjidhje shumica e trajnerëve dhe mungesa nga Evropa po i ndihmon. Të njëjtën përparësi e ka edhe Liverpool, veçse këta të Kloppit bëjnë lojë të bukur për sy, jo veç për rezultat.
2. Hajduk – Dinamo Zagreb (e shtunë, ora 3)
Gjëja më e mirë që po i ndodh futbollit kroat është Rijeka. Disi, ata po arrijnë të injorojnë dyshen klasike kroate e cila përballjen e radhës e ka këtë të shtunë. Është vështirë të besohet që klani i Mamiçëve dhe marioneta e tyre – Davor Suker, do të lejojnë Dinamon jashtë Ligës së Kampionëve për një sezon. Tekefundit është Ballkani. E këtu derbit klasik shpeshherë bëhet më të nxehtë në tribuna se në fushë.
3. AC Milan – Atalanta (e shtunë, ora 6)
Derbi i Lombardisë, aty ku Atalanta vërtetë i jep zor, e jo vetëm sfilatë. Ekipi i Gasperinit nuk është aq i gjerë për të dhënë shtytje drejt Evropës, sidomos nëse në janar humbin ato pak talente që kanë. Sa për sqarim – Papu Gomez nuk është talent. As Petagna. Të dy janë të denjë për ekipe të mesit si Atalanta, por jo më lartë apo diku jashtë.
Ndërkohë urime 117 vjetori i njërit nga ekipet më simpatike në botë (ekipi jem i dashur). Është një kohë tranzicioni për ta dhe kinezët janë shpresa e vetme. Ata po vonohen deri në mars dhe ngjashëm me çdo muaj të kaluar me Gallianin dhe Berlusconin akoma aty, është humbje shprese për një rrugë drejt Evropës. Në fushë, janë ekip jo aq kreativ. Tepër topa të kthyer tek portieri i cili ka më shumë kontakte se sa mesfushorët ‘kreativ’ kushdo që janë. Topi vazhdimisht kthehet mbrapa për shkak të mungesës së ‘shpërndarësve’ të mençur në mesfushë. Dhe ata pak topa që shpërthejnë kundërshtarët përfundojnë tek Mbaye ‘shtylla elektrike’ Niang. Me këtë formë, mund të përsëritet një Udinese.
4. Juventus – Roma (e shtunë, ora 15n9)
Koha për Romën për t’i treguar dhëmbët. Mundësisht ata që i kishin kundër Lazios, jo kundër Milanit. Janë më të kompletuarit në sezonet e fundit dhe nëse tash jo, atëherë vështirë që ndonjëherë mund të konkurrojnë Juventusin.
5. Manchester City – Arsenal (e diel, ora 5)
Guardiola e quan kapiten, kryekomandant Arsene Wengerin! Tashti, po ta studiojmë hollë e hollë, nuk është lehtë me qenë si Wenger. Të mbash një pozitë relative gjatë një periudhe kur ndërron stadiumin, zëvendëson gjeneratë të artë, dhe mbi të gjitha të kesh aksionar kryesor çiftin e Stan Kroenkes është goxha punë e zorshme. Lucescu mund të mbaj me vite Shakhtarin e tash Zenitin, apo Gasperini Genoan, por t’i bësh krejt këto me Arsenalin, në Premier League nuk është lehtë. Njeriu meriton respekt. Ka shumë arsye pse dështon në fushë, sidomos kohëve të fundit, por askush nuk është i përkryer. As Guardiola përkundër 200 milionëve të investuar tek City këtë verë!
6. Ajax – PSV (e diel, ora 15n5)
Nga dy ekipe që konkurronin gjigantët e Evropës (në fakt edhe ishin vetë gjigant, sidomos Ajax), tashti kemi dy ekipe që veç prodhojnë lojtarë për gjigantët duke i marrë primatin portugezëve. Më parë Ajaxi shiste krejt ekipin Milanit dhe Barcelonës dhe prapë arrinte në finale të Ligës së Kampionëve para tyre. Tashti as në Ligë të Kampionëve nuk po munden të arrijnë.
Është një përballje talentesh, por nuk i kanë më të mirët e Holandës. Sidomos këtë vit është një ligë më e baraspeshuar.
7. Lazio – Fiorentina (e diel, ora 15n9)
Derisa holandezët kanë së paku talente, shumica e italianëve kanë tepricë të ligave tjera, përfshirë edhe asaj të Brazilit. Nuk janë më destinacioni i preferuar i jug-amerikanëve apo evropianëve dhe që nga koha kur kanë nisur të kërkojnë talente më të ‘lira’ suksesi i tyre në Evropë ka përfunduar. Për këtë arsye Lazio dhe Fiorentina janë vetëm hijet e të së kaluarës, larg ditëve kur kishin dy nga golashënuesit më të mirë në Evropë. Tani të dyja mëzi arrijnë të kualifikohen aty, me një futboll shumë më italian viteve të fundit, më të mërzitshëm dhe më me pak raste të krijuara apo gola të shënuara. Nga Crespo-Batistuta, tashti kemi sulmet Immobile – Babacar!
8. Monaco – Lyon (e diel, ora 15n9)
Monaco është në formë të mirë. Shtatë kundër Rennes nuk janë asgjë krahasuar me sulmin e tyre perfekt. Kanë ekip të talentuar dhe më në fund magjia e Jardim po bën punë. Janë ekipet me mesataren më të mirë të golave deri tashti në ligat e mëdha evropiane. Pos një klasike e rigjeneruar viteve të fundit, kjo ndeshje shërben për të parë talentet e vërteta në njërën anë, dhe ato të dështuara dhe të mbivlerësuara në anën tjetër - Yanga-Mbiwa, Lacazzette. Një lajm i mirë nga liga franceze është se që nga viti i ardhshëm ndeshjet e të dielës kthehen në ora 9, që do të thotë mund të kthehemi t’i shohim nja 15-20 minuta të fundit të këtyre ndeshjeve.
9. Barcelona – Espanyol (e diel, ora 15n9)
Njëri ndër derbit lokal më bajat në botë. Veç në letër Espanyoli reziston Barcelonën. Në fushë janë të shtypur çdo herë – 11:1 është golaverazhi nga tri ndeshjet e fundit zyrtare në të mirë të blaugranës. Megjithatë Espanyoli ka kaluar një kohë të mirë së fundmi dhe ndoshta mund t’i vihet përballë treshes së Barcelonës, dy prej të cilëve tani veç kanë kontrata afatgjata – një gajle më pak në fushë.
10. Everton – Liverpool (e hënë, ora 9)
Ka aq shumë derbi lokal në Angli (shumica më interesant se ndeshja paraprake) saqë ky i Merseyside nuk mbetet asgjë i veçantë. Të gjitha këto përballje janë të baraspeshuara dhe vitet e fundit kjo ka qenë e zakonshme për këtë derbi. Evertoni pa Bolasie e Besic dhe me Koemanin akoma pa ide të sakta dhe lojëra të bukura po vuan. Në anën tjetër Liverpooli nuk është stabil, por derisa mbrojtja po lëshon gola bizar, gëzon fakti që Lallana po shkëlqen, Sikur edhe Origi të ishte më i pafalshëm para portës!
11.Monchengladbach – Schalke (e martë, ora 8)
Vazhdojmë me Bundesligën të martën dhe të mërkurën, edhe pse këto ditë keni edhe Ligue 1 dhe Copa del Rey. Të dyja kanë gjetur formë të mirë së fundmi dhe pushimi i janarit është i mirëseardhur për to, sidomos në tentimin e tyre për t’u kualifikuar në Evropë. Janari mund ti shqetësoj pak, sidomos Schalken me transferime eventuale jashtë. Por, para se të ndodh kjo, të dyja i plotësojnë të gjitha kushtet për ndeshje të bukur gjermane.
12. Bayern – Leipzig (e mërkurë, ora 8)
Kjo është mundësia më e mirë për të parë se sa seriozisht Leipzigu e ka këtë sezon. Nëse titulli duket mision i pamundur (nuk është – kujtoni Kaiserslauternin e ’98-tës), atëherë Liga e Kampionëve është pritje reale. Dhe Leipzigu nuk është ai ekip që blen yjet për të krijuar një ekip të mirë. Ata kanë një shtab të shkëlqyeshëm dhe talente të mbledhura dhe të krijuara edhe vetë, të cilët bëjnë një lojë të shkëlqyeshme ekipore. Nëse asgjë, janë më moral se Bayern në thithjen e talenteve nga ekipet tjera të Bundesligës, kryesisht me shuma të majme.
13. Inter – Lazio (e mërkurë, ora 15n9)
Lazio përsëri! Pioli ndeshet kundër ish-ekipit të tij dhe duket se ka gjetur veten pak a shumë tek Interi. Me largimin nga rruga të Europa League dhe pastrimin e ekipit gjatë janarit mund të bëjnë gjëra të mira në pranverë. Të dyja janë të talentuara, por përsëri vetëm hije e të së kaluarës.
14. Fiorentina – Napoli (e enjte, ora 15n9)
Edhe një italiane për fund. Sarri po tregon zotësinë e tij me menaxhimin e ekipit pa qendërsulmues (edhe pse kanë Gabbiadinin rezervë). Fiorentina është dukshëm më e varfër në kontingjent lojtarësh. Janë larg formës së vitit të kaluar, prandaj nuk duhet ti vënë shumë rezistencë Napolit. Të dyja mirëpresin pushimin e fundvitit për të marr frymë pak më lirshëm.
15.Juventus – Milan (e premte, ora 5e30)
SuperKupa italiane në tokën e sheikëve! Ndeshja në Serie A ka qenë një befasi e Milanit e kurorëzuar me një super-gol të Locatellit. I kthyer në pozitën e mesfushorit defensiv, të gjitha pasimet e Locatellit ani shkojnë vetëm kah mbrojtja. Edhe kundër Juventusit nuk ka qenë aq i sigurt në trajtimin e topit. Por, për një 18 vjeçar në Milan ka qenë i mahnitshëm.
Kushdo që të jetë në krye të ekipit, Milani jep më shumë kundër Juventusit – finalja e kupës para ndeshjes së Serie A këtë sezon. Dhe në të njëjtën kohë, disi Juventusi është më i ndrojtur! Është e pakuptimtë kur dihet se kanë ekip së paku trefish më të mirë. Prandaj, edhe një titull për Juventusin nuk do të ishte aspak befasi. Do të ishte befasi nëse Milani merr titull tjetër pos trofeut Berlusconi!!!