EKSKLUZIVE

Oto John, sulmuesi i Trepçës'89/ BOROZANI/ A. P.
Me Trepçën’89 në Ligë të Kampionëve!
INTERVISTË EKSKLUZIVE
7 May, 2017 @13:29
Futbollisti i ri i Trepçës’89, Oto John, është në rrugë të mirë për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës këtë stinor. Për më tepër, ai është ndër faktorët kryesorë të skuadrës mitrovicase që po shkojnë drejt titullit të parë të kampionit në histori të klubit.
John, ka shënuar 23 gola deri më sot në Superligë dhe pritet të bëhet i huaji i parë që do të kurorëzohet me ‘këpucën e artë’ të elitës së futbollit të Kosovës.
Në një bisedë ekskluzive me Borozani.com, John ka treguar shkurt historinë e tij, ardhjen në Kosovë, por edhe planet për të ardhmen e afërt. Derisa model lojtar i tij është ish-sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ndërsa pret që Real Madrid të triumfojë në Ligë të Kampionëve këtë stinor!
Kanë mbetur edhe katër xhiro derisa ju jeni shumë afër të bëheni golashënuesi më i mirë i Superligës dhe i huaji i parë që e arrin këtë.
“Jashtëzakonisht ndjehem i lumtur për këtë fakt, por edhe i bekuar,” ka thënë John në nismë të bisedës me Borozani.com.
Dua që t’i bëj bashkëlojtarët e lumtur që më besojnë mua, për këtë shënoj.
Nigeriani nisi karrierën për grupmoshat e reja të 36 Lion FC nga Nigeria. Prej grupmoshës U12 arriti kaloi në të gjitha kategoritë duke u rritur edhe si lojtar. Erdhi koha për të arritur në Kosovë. Si ndodhi kjo?
“Një skaut nga Tirana më pa te Lion FC. Më mori te Skënderbeu i Korçës, ndërsa prej aty si huazim erdha te Trepça’89,” ka treguar shkurt ai rrugëtimin për Kosovë.
E çka e bën Oto Johnin të veçantë para portave kundërshtare?
“Dua që ta bëj tërë ekipin e lumtur dhe të shënoj sepse ata më besojnë mua. Unë duhet të shënojë gjithnjë për të shpaguar asistimet e bashkëlojtarëve dhe kjo është një gjë e veçantë,” ka treguar ai.
Me Trepçën’89 në Ligë të Kampionëve!
Tash Trepça’89 po shkon drejt titullit të parë në histori. Ti je njëri ndër lojtarët e rëndësishëm të skuadrës. Çka do të bëni pas përfundimit të stinorit? A do të ndihmoni Trepçën’89 edhe në gara ndërkombëtare? Planet?
“Planet për të ardhmen, t’i ndihmoj Trepçës’89 në kualifikime për Ligë të Kampionëve. Pas përfundimit të stinorit dua të vizitoj nënën në Nigeri dhe të kthehem shpejt për gara ndërkombëtare me Trepçën’89. Shpresoj të fitojmë sa më shumë ndeshje në gara europiane,” bën të ditur golashënuesi më i mirë i Superligës aktualisht.
Ftesë nga reprezentacioni i Nigerisë. E pritni një gjë të tillë?
“Kam dëgjuar disa thashetheme, por jam plotësisht i koncentruar aktualisht te Trepça’89 dhe Kosova,” ka thënë John, duke lënë të hapur mundësinë edhe për një gjë të tillë.
Futbollisti modeli i juaj?
“Didier Drogba.”
Pse?
“Ai ka qejf të punojë shumë, edhe unë punoj shumë,” qesh nigeriani i ri.
Kush po e fiton Ligën e Kampionëve këtë stinor?
“Real Madridi.”
Trepçës’89 i kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund të stinorit. Ekipi është në rrugë të mirë për tu bërë kampion dhe për këtë i duhen edhe dy fitore maksimalisht për ta siguruar edhe matematikisht atë. John me 23 gola udhëheq listën e realizatorëve të Superligës, ndërsa pritet të jetë në ekip edhe më tutje, derisa Trepça’89 pritet të debutojë në gara europiane pas përfundimit të stinorit.