TREGIMI I FSHEHTË URUGUAJAN
Ndal trajtimin e kancerit, për ta bërë gati Suarezin
21 June, 2014 @11:13
Njëra ndër tregimet më të bukura të Kampionatit Botëror që tani, mund të shpallet ajo çfarë doli nga kombëtarja uruguajane në Brazili 2014.
Walter Ferreira, mjeku që i ndihmoi sulmuesit Luis Suarez që të kthehet sa më shpejtë në fushë pas lëndimit, është duke vuajtur nga kanceri. Mirëpo, sipas njoftimit të The Indipendent, ai ka lënë pezull trajtimin e tij të rëndë, për t’i ndihmuar sulmuesit të kombëtares që të jetë i gatshëm 100% për ndeshje ndaj Anglisë.
Flijimi i mjekut doli të jetë vendimtar për skuadër e Uruguajit. Suarez shënoi dy herë në fitoren e vendit të tij ndaj Anglisë dhe tashmë Uruguaji shpreson në kualifikim.
“Golat janë për të, për shkak të asaj që ai ka bërë për mua,” ka thënë Suarez.
“Më duhet ta falenderoj. Unë shënova golat, por ai njeri është përgjigjja për ato gola,” ka shtuar Suarez.
Mjeku Ferreira tashmë është hero kombëtar në Uruguaj, menjëherë pas Suarezit, derisa ai këtë e sheh si një diçka normale dhe fryt të punës.
“S’kam fjalë. Jeta ka uljet dhe ngritjet e saja, mirëpo duhet të luftohet. Jam shumë falenderues. Do të luftojë,” është cituar nga Eurosport, Ferreira.
Luis Suarez është futbollisti më i mirë i Uruguajit dhe yll i futbollit botëror. Ai ishte i lënduar dhe nuk arriti që të luaj ndeshjen e parë të kombëtares së tij në Botëror, të cilën e humbën befasisht nga Kosta Rika.
Ai nuk do të ishte 100% i gatshëm as për lojën e dytë, fitoren ndaj Anglisë, pa ndihmën e mjekut, ku tregoi cilësitë dhe mbajti gjallë shpresat e Uruguajit për të dalë nga Grupi më i vështirë i kampionatit.