DUELI I PAQËSORIT
Një Valencia tjetër po e ngrit Ekuadorin
21 June, 2014 @10:23
Ekuadori ka arritur të përmbys epërsinë e Hondurasit për të shënuar fitoren e parë në këtë Botëror në mëngjesin e hershëm me kohën tonë.
Por, derisa të gjithë po presin nga ylli më i njohur i këtij vendi Antonio Valencia (Manchester United), është një Valencia tjetër që po shënon për Ekuadorin dhe po i mban gjallë shpresat e vendit të tij për tu kualifikuar.
Enner Valencia, sulmues i Pachucas në elitën meksikane ka qenë njeriu që ka shënuar dy herë mbrëmë për t’ia dhënë fitoren e parë Ekuadorit dhe tashmë - ata janë në vend të dytë të tabelës dhe do të kërkojnë daljen nga grupi në ndeshjen e fundit.
Enner 24 vjeç ka barazuar shpejtë në pjesën e parë pas golit të Carlo Costlyt për Hondurasin - që dërgoi në delir stadiumin. Por Enner shfrytëzoi shpejtë një gabim të mbrojtjes dhe çoi në këmbë pjesën tjetër të publikut - për të cilët u përkujdes edhe në pjesën e dytë, pas golit që doli të jetë i fitores për ekipin nga Oqeani Paqësor.
FAKT:
ENNER VALENCIA është golashënuesi më i mirë dhe i vetëm i Ekuadorit në "BRAZILI 2014". Ai ka shënuar të tre golat e Ekuadorit në këtë Botëror. |