TË RIKTHYERIT

Në kërkim të gjysmëfinales pas një dekade
14 April, 2015 @9:26
Monaco befasoi tërë Europën kur eliminoi Arsenalin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Tash, misioni është më i vështirë, por besim ka, te ekipi nga Principata.
Në anën tjetër, Juventus përkundër se kishte rezultat të rrezikshëm nga përballja e parë, ka arritur të eliminojë Borussia Dortmundin jostabil këtë stinor, duke e mposhtur bindshëm në Signal Iduna Park.
Çështja interesnate është se ka mbi një dekadë që këto dy ekipe nuk kanë arritur gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve - dhe këtë njëra duhet ta arrijë kësaj radhe.
Nuk ka favoritë në çerekfinale - Allegri
Juventus për herë të fundit kishte arritur gjysmëfinalen në stinorin 2002/03, ndërsa Monaco në stinorin vijues, 2003/04.
“Monaco meriton të jetë në çerekfinale. Ata kaluan Benficën dhe Zenitin, u bënë ekipi me më së paku gola të pranuara në fazën grupore, ndërsa të njejtën po e bëjnë edhe në Ligue 1. Janë të organizuar shumë, me trajner të mençur. Ndeshja do të zgjasë 180 minuta, asgjë nuk vendoset sonte. Njerëzit thonë se ne jemi favoritë, por mendoj se në çerekfinale nuk ka favoritë. Nëse nuk luajmë si ndaj Dortmundit, do të jetë vështirë të kualifikohemi,” ka thënë Massimiliano Allegri, trajneri i Juventusit, para ndeshjes së sontme në konferencë për shtyp.
Duam respekt! Me meritë jemi këtu - Jardim
Monaco mund të thuhet që ka qenë befasi në këtë kampanjë të Ligës së Kampionëve. Kjo pasi që rezultatet e tyre nuk kanë qenë premtuese, derisa kualifikimin e nxorrën në xhirot e fundit të fazës grupore. Por, mbajta e portës pastër - ka qenë vlera më e madhe e ekipit dhe kjo i dërgoi ata përpara. Pastaj kaluan edhe Arsenalin për të treguar se kanë fuqi.
“Ne kemi arritur çerekfinalet sepse e kemi merituar këtë. Ne kemi fituar grupin tonë dhe kemi eliminuar Arsenalin. Ne nuk jemi befasi dhe ne meritojmë respekt, sikurse ekipet tjera çerekfinaliste,” ka thënë portugezi Leonardo Jardim, trajner i Monacos, që po kërkon të flitet më shumë për ekipin e tij në top tetëshen europiane të këtij stinori.
Formacionet e mundshme:
Juventus: | Buffon; Barzagli, Bonucci, Chiellini; Lichtsteiner, Pereyra, Marchisio, Vidal, Evra; Morata, Tévez. | ||
Monaco: | Subašić; Fabinho, Carvalho, Abdennour, Kurzawa; Toulalan, Kondogbia; Dirar, Moutinho, Martial; Berbatov. |