VUSHTRRIA 3-3 DUKAGJINI
Në kohën shtesë iu mohua fitorja
5 March, 2020 @16:02
Dueli i dy skuadrave që thuajse kanë humbur shpresat për mbijetesë në Superligë, Vushtrria dhe Dukagjini, ka kaluar në një goleadë pak të pritur.
Në Ferki Aliu të pranishmit kanë qenë dëshmitarë të gjashtë golave të shënuara, ndërsa mysafirëve nga Klina fitorja iu mohua në kohën shtesë të ndeshjes, kur Bler Istrefi shënoi në kohën shtesë për të barazuar rezultatin në përfundimtaren 3-3. Vushtrria 3-3 Dukagjini [Evan Salinas 18, Sie Kwarena 73, Bler Istrefi 90+5 - Laurant Marmullaku 9, 44, Granit Elezaj 63]
Dukagjini që po drejtohet nga Severin Elezaj ka kërkuar më shumë fitoren sot, por kjo s’u arrit. Laurant Marmullaku i dha epërsinë klinasve (9’) 0-1. Shpejt barazoi Evan Salinas i vendasve, me një gol prej jashtë zonës (18’) 1-1.
Sulmet e mysafirëve nuk u ndalën. Tentoi Mark Milicaj, topi përpak mbeti jashtë golit. Por para se të shkohet në pushim, Marmullaku përsëri realizoi (44’) 1-2 për të shkuar të motivuar në pushim pjesëlojësh.
Mysafirët në pjesë të dytë menduan se e arritën fitoren. Një lëvizje e mirë e Granit Elezajt sulmues, ka bërë që ekipi i tij të kalojë në avantazh dygolësh 1-3 (63’).
Por vendasit e drejtuar nga Fitim Llapashtica nuk u ndalën. Të motivuar edhe nga shikuesit e pranishëm ata vazhduan drejt portës së klinasve për të arritur së pari uljen e epërsisë me anë të ganezit Sie Kwarena 2-3 (73’) që realizoi me kokë e krejt në fund të ndeshjes, në minutën e fundit të kohës shtesë ka qenë Bler Istrefi që gëzoi jashtëzakonisht bashkëlojtarët dhe të pranishmit me golin e shënuar për 3-3 (90’+5).
Derisa pika e fituar Dukagjinit nuk i bëri shumë përshtypje pasi që kanë gjashtë pikë më pak sesa Vushtrria, për vendasit kjo ka qenë pikë jetike, që nuk ua humb shpresat, duke i mbajtur 10 pikë larg zonës për shpëtim, derisa po afrohet cikli i fundit i ndeshjeve të Superligës.