DRENICA 3-1 FLAMURTARI
Drenica shënon fitoren e parë pranverore dhe del nga zona e rrezikshme
5 March, 2020 @15:23
Skuadra e Drenicës nën drejtimin e trajnerit të ri të saj Gani Sejdiu ka shënuar fitoren e parë në pranverë, për të dalë nga zona e rrezikshme e klasifikimit të Superligës.
Kuqezinjtë e Skenderajit kanë arritur që me lojë të mirë të mposhtin sot Flamurtarin 3-1 [Alban Shillova 14, 41p, Hasan Hyseni 70 - Veton Kabashi 16].
Në total, Drenica nuk kishte shënuar fitore në Superligë që prej 23 nëntorit, kur e mposhti Vushtrrinë 3-0 dhe pas më tepër se tre muajsh arrin trepikëshin e parë, pikë këto që e çojnë mbi zonë të rrezikshme.
Pranverës në Superligë Drenica ia nisi me humbje ndaj Ballkanit 3-0, ndaj Prishtinës 1-3 dhe ndaj Dritës 4-1 - të gjitha skuadra këto në garë për titull kampioni.
E sot, falë dygolëshit të shpejtë të ish sulmuesit të Flamurtarit e Prishtinës, Alban Shillova ata morrën epërsinë e nevojshme për rehati, duke shkuar në pjesë të dytë edhe më të fortë për përfundimtaren 3-1.
Drenica nisi furishëm ndeshjen. Pikët ishin më se të nevojshme, ndërsa para golit të shënuar nga Shillova në minutën e 14-të të ndeshjes, raste të mira patën Hasan Hyseni e Genc Hamiti.
Barazuan mysafirët shpejtë. Veton Kabashi përfitoi topin nga një devijim dhe shënon për 1-1 (16’). Por vendasit nuk u zhgënjyen. Vazhduan me sulme derisa Përparim Osmani u pengua në zonë për të nxjerrë penallti. Shillova e ekzekutoi për të shkuar ekipi i Sejdiut me epërsi në pushim.
E në pjesë të dytë kur shënoi Hasan Hyseni (70’) për 3-1, dilemat mbaruan. Drenica shkoi sigurt drejt fitores pasi që tentimet e mysafirëve ishin të zbehta për të bërë më shumë në këtë përballje.
Flamurtari me këtë humbje i kthehet zonës së rrezikshme të Superligës, duke humbur nga rivali direkt për mbijetesë.
E në xhiron e fundit të ciklit të dytë të ndeshjeve të Superligës, Drenica i shkon Dukagjinit, të fundit në tabelë - kurse Flamurtari pret liderin, Ballkanin.