TREPÇA'89 1-2 LLAPI
Zëvendësuesit e Llapit përmbysin Trepçën ‘89 në minutat e fundit!
4 March, 2020 @15:36
Skuadra e Llapit që po drejtohet nga Tahir Batatina kanë arritur të shënojnë një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në Mitrovicë sot, duke e mposhtur Trepçën ‘89 si mysafir dhe atë në minutat e fundit të ndeshjes, duke përmbysur rezultatin prej 1-0 në 1-2 [Arb Manaj 44p - Erlis Ymeri 82, Egzon Krasniqi 85].
Epërsia e Trepçës’89 e ardhur nga penalltia në fund të pjesës së parë, u konkretizua nga njëri ndër sulmuesit më në formë në Superligë, Arb Manaj.
Mirëpo zëvendësimet e Batatinës në pjesë të dytë, vulosën ndeshjen. Dhe atë pas minutës së 80 të takimit. Së pari ka qenë Erlis Ymeri që me kokë realizoi asistimin e Arbnor Ramadanit, e nuk vonoi, derisa vendasit ishin në mjegull të golit të pranuar, Egzon Krasniqi veçse ia dha avantazhin llapjanëve të cilët duruan edhe gjashtë minutat shtesë të referimit për të dalë triumfues nga ndeshja.
‘89-shi i drejtuar nga Shpëtim Idrizi do të duhet të kërkojë fitoren që në ndeshjen e radhës ndaj Ferizajit, pasi që po i afrohet zonës së rrezikshme të Superligës, derisa Llapi pret njërin nga kandidatët për titull, Gjilanin, në Zahir Pajaziti.