LEDIAN MEMUSHAJ
Ne në sulm, ata duhet të mbrohen
5 September, 2018 @12:57
Mesfushori i ri-ftuar në kombëtaren kuqezi, Ledian Memushaj, në konferencën e djeshme për shtyp të Shqipërisë ka folur për ndeshjen e së premtes.
Memushaj, që luan për Pescaran në Itali ka bërë të ditur se kuqezinjtë do të provojnë të luajnë në sulm, ndërsa kundërshtari do të duhet të mbrohet.
“Do të jetë një ndeshje më e vështirë se sa ajo në Izrael. Ne do duhet të luajmë më shumë në sulm, ata duhet të mbrohen. Tashmë në skuadër ka shumë djem të rinj që janë edhe më të fortë. Sidoqoftë mendoj se nuk duhet parë mosha, duhet të shikojmë kualitetin dhe formën. Gjëja më e rëndësishme është të shikojmë momentin. Kombëtarja më ka munguar shumë. Skuadrës nuk i duhet vetëm Ledjani, por grupi. Shqipërisë i duhen të gjithë, sepse ky ekip varet nga grupi,” ka thënë Memushaj.
Shqipëria pret Izraelin më 7 shtator në ora 20:45 në Elbasan Arena, në kuadër të ndeshjes së parë të Grupit B1 të Ligës së Kombeve.