KUPA E KOSOVËS: BESA - DRITA
Pas 120 minutave lojë, Besa arrin çerekfinalen
19 February, 2017 @15:14
Pas Llapit, Ferizajit, Trepçës ‘89, Drenicës, Prishtinës dhe Lirisë, çerekfinalistja e radhës në Kupën e Kosovës është Besa.
Në një mot jo të mirë dhe në një terren të vështirë për lojë, pjesa e parë ishte kryesisht e qetë deri në minutën e 43’, moment në të cilën Diar Miftaraj i dha epërsinë vendasve me golin e shënuar me kokë pas krosimit perfekt të Xhevdet Shabanit nga goditja e këndit.
Më pas, vonë në pjesën e dytë gjilanasit e gjetën barazimin përmes Përparim Livorekës, i cili shënoi nga 10 metra dhe koha e rregullt u mbyll me rezultat 1-1.
Në minutën e 88’, Drita mbeti me një lojtar më pak, me Taulant Halitin që u lëndua dhe duke marrë parasysh që zëvendësimet e Munishit kishin përfunduar, ai u largua nga loja dhe Drita mbeti me 10 lojtarë. Fati i keq i Dritës vazhdoi edhe në kohën shtesë, kur edhe Nderim Nexhipi u lëndua dhe gjilanasit u detyruan ta vazhdonin takimin me 9 lojtarë në fushë.
Këtë epërsi e shfrytëzoi Besa, e cila shënoi 2 herë dhe e arriti kualifikimin. Fillimisht me kokë shënoi Edmond Turku pas krosimit të Kasapit, e më pas kualifikimi u vulos me golin e Fitim Kasapit në minutën e 115’ dhe rezultati final i takimit ishte 3-1.
Për t’u përmendur nga kjo ndeshje janë tifogrupi ‘Intelektualët’, të cilët përkundër motit të keq, udhëtuan në numër të madh në Pejë dhe nuk e ndalën përkrahjen për Dritën në asnjë moment.