LAZIO-TORINO

Foto: uel/fb
Pas 24 vitesh, fitore si mysafir i Lazios
11 December, 2017 @23:35
Në një ndeshje tejet të tensionuar sonte në Serie A, Torino ka arritur të shënojë fitoren e parë ndaj Lazios si mysafir që prej vitit 1993.
Me fitore, Lazioja do të barazohej me pikë me rivalin lokal Romën dhe do të hynte në garë për një vend në TOP 4 të Italisë.
Andrea Belotti i Torinos dhe Ciro Immobile i Lazios patën raste të mira për të shënuar, mirëpo pak para fundit të pjesës së parë ndryshuan forcat në terren.
Immobile protestoi pse Lazios nuk iu dha penalltia dhe shtyu me kokë Nicolas Burdisson e Torinos.
Referi rishikoi incidentin në inçizimet VAR dhe vendosi për karton të kuq, por penallti nuk dha. Me largimin e Immobiles, Lazio mbeti me 10 lojtarë në fushë për pjesë të dytë.
Me të filluar pjesa e dytë Torino shënoi dy herë në portën e të kaltërve romakë, përmes spanjollit Alex Berenguer dhe venecuelasit Tomas Rincon, 0-2.
Luis Alberto rimotivoi Lazion me golin e tij, për 1-2. Por, zëvendësuesi 20 vjeç, italiani Simone Edera, vetëm 3 minuta pasi që hyri në lojë shënoi për 1-3 në portën e Thomas Strakoshës, për t’ia sjellë torinezëve fitoren e parë pas 24 vitesh si mysafir ndaj Lazios në Olimpico.
Me këtë fitore, Torino tubon 23 pikë dhe kap pozitën e tetë në klasifikim të Serie A-së, derisa Lazio vazhdon të mbetet e pesta me 32 pikë, 3 më pak se Roma që është e katërta.