FTESAT E KOSOVËS

Foto: FFK
Pas Halimit dhe Bekajt, dihet edhe portieri i tretë i Kosovës
12 March, 2021 @11:50
Si duket, tashmë ende pa dalë lista e ftesave zyrtare të Bernard Challandesit për ndeshjet kualifikuese të muajit mars të Kosovës, portierët e ftuar janë përcaktuar.
Pas Betim Halimit që do të ftohet për herë të parë, zyrtarizuar nga ekipi i tij, pastaj edhe Visar Bekajt që po mbron për Tiranën, Kosova ka ftuar edhe kapitenin Samir Ujkani - që ka marrë leje nga Torinoja për të udhëtuar.
Gazetari i Supersportit, Arlind Sadiku, ka bërë të ditur se përkundër që Torinoja ka hezituar të lëshojë portierin në fjalë, duket se pas insistimit është arritur akordi që Ujkani të jetë pjesë e Kosovës në ndeshjet e marsit.
Me këtë, Halimi - Bekaj e Ujkani do të jenë për herë të parë si treshe e portierëve të Kosovës dhe gjëja tjetër e rëndësishme është se edhe Halimi e Bekaj janë të rinj me moshë dhe porta e Kosovës do të ketë një siguri për kohë të gjatë, pasi që ata nga ekipet e tyre përkatëse të Kosovës (Drita e Prishtina) tashmë kanë dalë nëpër liga tjera. Halimi luan në Ukrainë, ndërsa Bekaj në Shqipëri.