NË GJILAN
Bekim Isufi merr drejtimin e Dritës
5 November, 2017 @21:48
Pasi që ofroi dorëheqjen pas ndeshjes ndaj Flamurtarit (1-1) dhe këtë e pranoi kryesia e klubit, Milazim Zuzaku, edhe zyrtarisht me marrëveshje u largua nga ekipi bardhekaltër i Gjilanit.
Ndërsa sot, përmes një njoftimi të lëshuar në rrjete sociale, ekipi i Dritës ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Bekim Isufin.
Bekim Isufi, ish-lojtar i dikurshëm i Dritës, që nisi stinorin si trajner i ekipit të Vllaznisë së Pozharanit, duke e drejtuar ekipin për 8 xhiro, i rikthehet Superligës pas 6 xhirove të kaluara në pushim.
Isufi bëhet trajneri i dytë që nis stinorin me një ekip dhe kthehet në të njejtin stinor në Superligë me ekipin tjetër.
Zekirija Ramadani kishte nisur stinorin me Trepçën’89 dhe pas një pushimi u emërua te Feronikeli, ndërsa tash këtë e bëri edhe Isufi, që pas Vllaznisë, merr drejtimin e Dritës.