Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

5 PËR FUNDJAVË

Për një vit me shumë futboll

Për një vit me shumë futboll


Shkruan: Luan MORINA

2 January, 2016 @10:14

Ndeshjet më interesante të fundjavës të përmbledhura, që duhet t’i shikoni…

1. Everton – Tottenham (e diel, ora 5)

Tottenham është mirë sivjet. Për çudi akoma nuk kanë pësuar rënie në formë, apo ndonjë lëndim. Nëse shohim mesfushë ka ndryshuar totalisht këtë sezon. Pocchettino po bën punë të mrekullueshme me ekip. Mbrojtjen e kanë në nivel. Vetëm edhe Harry Kane të gjen formën e duhur, formë kah e cila është nisur dhe tri pozitat e para janë të garantuara për ta.

Ekip të mirë ka edhe Evertoni. Në fakt, me ato që shohim në letër mund të konkludojmë se Evertoni është nën pozitën ku duhet të ishte. Por, bëjnë lojë të hapur, të kënaqshme për sy. Për atë, kjo ndeshje do të duhej të ishte një ndeshje e hapur me lëvizje të shpejtë të topit, dhe gola.

2. Valencia – Real Madrid (e diel, ora 8e30)

Këtë vit në mesin e shumë gjërave që presim të shohim se si do të përfundojnë janë pozitat e Gary Neville, dhe Rafa Benitez. Anglezi i papërvojë në zejen e trajnerit ka nevojë për kohë, diçka që ndoshta mund të mos i lejohet në Valencia. Sigurisht kjo nuk duhet ti lejohet Benitezit, i cili kurrë s’do të jetë trajner i denjë për Realin. 

Nëse do të veja bast se cili do të mbeste i pari pa punë, Benitezi do të ishte zgjedhja ime. 

3. Watford – Manchester City (e shtunë, ora 6e30)

Watford me Quique Sanchez më ka befasuar për të mirë. Kanë qëndruar shumë mirë ndaj skuadrave të mëdha, dhe tani e kanë radhën për të dëshmuar edhe një herë veten. 

City do ta ketë të vështirë pa Kompanyn, dhe sidomos me formën e Mangalas. Krahun e djathtë të mbrojtjes kurrë nuk e kanë pasur të mirë, duke detyruar ndoshta mesfushën që të kthehen në ndihmë më shpesh, që mund të shkaktoj këputjen e zinxhirit me sulmin. Këto janë ndeshje që City duhet ti fitoj nëse dëshiron të mbetet në luftë për titull.

4. Leicester City – Bournemouth (e shtunë, ora 4)

Pas serisë së ndeshjeve të vështira, seri të kompletuar me plotë sukses, ku sidomos vërehej angazhimi ekipor në mbrojtje, Leicester ka mundësi të marr frymë më lehtë. Ama, nuk bën të nënçmohet assesi Bournemouth. Në fakt asnjë ekip në Premier League nuk të le të marrësh frymë më lehtë. Për atë edhe është liga më e mirë në botë! Është e nevojshme të rikthejnë formën e fitoreve menjëherë që të vazhdojnë të mbesin aty ku janë.

5. West Ham – Liverpool (e shtunë, ora 15n2)

Bilic i ka specialitet ekipet klasike në Premier League. Ka pasur rezultate të mira ndaj Arsenalit, Liverpoolit, Chelseat, Cityt, Unitedit (ndaj këtij Unitedit në fakt barazimi është dështim!), dhe tani është radha edhe një herë ndaj Liverpoolit. Është interesant të shohim vendosjen e Bilic kundër Kloppit, i cili duket se ka marr këmbët me Reds. Po të mos kishin kaq shumë lëndime, West Ham do të ishin edhe më mirë që janë dhe nuk do të kishin atë seri prej pesë barazimesh me vetëm dy gola të shënuar. Të dy trajnerët luajnë futboll të hapur, ofanziv, prandaj do të ishte një ndeshje e mirë për tifozët neutral. 

Një lojë si shpresojmë shumë të tilla edhe këtë vit që do të jetë i mbushur me futboll. Kampionatet Kombëtare, Liga e Kampionëve e Europa League, Euro 2016 me kombëtaren, Olimpiada, Kualifikimet për Botërorin 2018 (shpresojmë më Kosovën), dhe shumë gara tjera, me futboll çdo ditë të lume, sivjet një ditë më shumë se tri vitet e kaluara. Vetëm të kemi shëndet, dhe pajisje ku të shohim futboll. Asgjë tjetër s’ka rëndësi!


 
Të gjitha lajmet nga