BRAZILI-GJERMANIA
Përballja e superfuqive
8 July, 2014 @9:36
Brazili dhe Gjermania, dy superfuqitë botërore të futbollit, sonte ndeshen për të përcaktuar skuadrën që do të arrijë në finale të Kampionatit Botëror “Brazili 2014”.
Njëri ndër kampionatet më të mira, ku në gjysmëfinale arritën skuadrat më të qëndrueshme të kampionatit dhe superfuqitë: Brazili, Gjermania, Argjentina dhe Holanda - sonte do të na jep finalistin e parë.
Kariokët
Nikoqirët e kampionatit janë në telashe pas lëndimit të sulmuesit të tyre kryesor, Neymar, i cili pësoi një frakturë në shpinë në ndeshje ndaj Kolumbisë.
Mirëpo, këtu nuk përfundon gjithçka për Kariokët. Ata kanë kapitenin e tyre dhe themelin e mbrojtjes, Thiago Silva, të suspenduar për shkak të kartonëve.
Sidoqoftë optimizmi që po mbretëron në Brazil, dëshira e madhe për të triumfuar për herë të gjashtë në Botëror dhe posaçërisht në vend të vetin - është duke i mbajtur bashkë të gjithë futbollistët, por edhe mediat e çdo tifoz veç e veç, në rrugë drejt Kupës.
Panzerët
Në anën tjetër, Joachim Low, ka punë tepër të vështirë. Jo të vështirë në aspektin futbollistik, pasi që ka njërin ndër ekipet më të mira në botë. Por, duke ditur se Gjermania është gjithmonë - aty - afër finales ose në finale - nuk dihet se a do të mund të durojnë edhe njëherë Panzerët mosmarrjen e Kupës së Botës!
Finalist i Botërorit “Korea dhe Japonia 2002’, pastaj gjysmëfinalist i “Gjermania 2006’ dhe fat i njejtë edhe në “Afrikë të Jugut 2010” - e edhe një disfatë në këtë fazë por edhe në finale - nuk besohet të kapërdihet më në opinionin gjerman.
Për më tepër, këto dy ekipe përveç finales së Botërorit 2002, nuk janë takuar asnjëherë në Kupë të Botës. Në Yokohama të Japonisë më 30 qershor, Brazili kishte fituar 2-0 Gjermaninë në finale. Ky ishte kurorëzimi i pestë i Brazilit me titull kampion bote, derisa Gjermania mbeti me tre të fituara dhe të fundit - që nga shekulli i kaluar në Itali, kur patën mposhtur Argjentinën e Diego Maradonës në finale 1-0.
E sonte, të shohim ç‘do të na sjellin superfuqitë e futbollit në Arenën e Belo Horizontes.
RRUGA PËR FINALE DHE STATISTIKA TË NDRYSHME NGA KUPA E BOTËS
FAKTE:
Brazili dhe Gjermania, bashkë, kanë 8 tituj të fituar të Botërorit; Brazili i ka 5, derisa Gjermania 3. | Brazili dhe Gjermania përkundër se janë pjesëmarrësit më të shpeshtë të Botërorëve, janë takuar vetëm njëherë deri sot në Kupë të Botës - në finalen e "Korea dhe Japonia 2002" ku Brazili fiton me golat e Ronaldos 2-0. | Brazili dhe Gjermania kanë shënuar deri më tani nga 10 gola në këtë Botëror. | Edhe Brazili edhe Gjermania, golashënuesin më të mirë e kanë me 4 gola të shënuara në këtë Botëror - Neymar dhe Thomas Muller. |
Në takimet e Kupës së Konfederatave, Gjermania e ka fituar dy herë Brazilin. | Në të gjitha takimet e këtyre dy skuadrave, Brazili ka 12 fitore, Gjermania 4, derisa 5 të tjera kanë përfunduar me barazim. | Gjermania për herë të parë ka udhëtuar me një lojtar shqiptar në Botëror. Shkodran Mustafi bëhet lojtari i parë me origjinë shqiptare që luan në Kupë të Botës për Gjermaninë. | Fituesi i kësaj ndeshjeje shkon në finale, derisa humbësi luan ndeshjen për vendin e tretë që fiton medaljen e bronztë në Kupë të Botës. |