MALI I ZI - KOSOVA
Pika e dytë në ndeshjen e dytë
7 June, 2019 @22:43
Me mungesa në formacion, me mungesë të strategut Ljubisa Tumbakovic, Kosova nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë ndaj Malit të Zi tepër të zbehtë sonte.
Mungesa e përvojës përsëri i ka kushtuar dardanëve në përballje kualifikuese për EURO 2020, pasi që përkundër dominimit dhe rasteve të shumta për të shënuar, është dashur që në fund të pajtohemi me një barazim dhe një gol të pranuar nga mospërqëndrimi maksimal, 1-1 (Stefan Mugosa 69 - 24 Milot Rashica).
Rastet e humbura të Arbër Zenelit në pjesë të parë, Vedat Muriqit e deri te goli i Milot Rashicës dhanë shpresë për një fitore - të parë dhe historike, por në fund nuk doli kështu.
Pjesa e dytë me një shtyllë të Fidan Alitit të goditur, pastaj një rast ideal që nuk e arriti Vedat Muriqi - bën që nga një goditje prej anash, të harrohet Mugosa në këndin tjetër të portës, për të shënuar për 1-1.
Kosova tash pas dy ndeshjeve ka dy pikë, derisa Mali i Zi ka po aq pikë nga tre ndeshje.