LOS BLANCOS

REUTERS/Sergio Perez
Plani 100 milionësh i Realit
4 May, 2013 @12:14
Për një ekip si Real Madridi, përmbyllja e stinorit pa njërin trofe si ajo e Ligës së Kampionëve dhe e La Ligas - konsiderohet stinor i dështuar.
Kështu, derisa përfoljet për vajtje-ardhje të lojtarëve dhe largimit të trajnerit Jose Mourinho po vazhdojnë, kryetari i klubit, Florentino Perez po planifikon ti fitojë 100 milionë euro nga shitja e gjashtë lojtarëve.
Sipas spanjolles Marca, Gonzalo Higuain (30 milionë euro), Angel Di Maria (25 milionë euro), Pepe (20 milionë euro), Fabio Coentrao (18 milionë euro), Kaka (10 milionë euro) dhe Adan (2 milionë euro) - janë të gatshëm për t’u liruar menjëherë posa të kërkohen nga skuadrat që shprehnin interesimin.
Sulmuesi Higuain është kërkuar nga Juventusi, Angel Di Maria nuk i nevojitet madrilenëve nëse arrin Gareth Bale. Qendërmbrojtësi Pepe nuk është në planin e Realit, pasi që klubi mendon të vazhdojë me dyshen Sergio Ramos-Raphael Varane, si dhe ardhja e mundshme e Inigo Martinezit është në lojë.
Braziliani Kaka mund të kthehet në Milan, pasi që rossonerët kanë shprehur interesim disa herë gjatë stinorit, por çmimi i lartë i tij nuk është pëlqyer nga italianët. E 10 milionëshi i tashëm, është i pranueshëm dhe transferi mund të realizohet. Krahu portugez, Fabio Coentrao, nuk është në planet e ardhmërisë së klubit, prandaj ofertat për të pritet të vijnë, ndërsa portieri rezervë Adan, është kërkuar nga skuadrat mesatare të La Ligas dhe Borussia Monchengladbach, prandaj me kthimin e Iker Casillasit dhe transferin e fundit, Diego Lopez, porta e Realit është e sigurtë edhe për shumë vite.
Verë e nxehtë pritet të jetë në Madrid këtë afat kalimtar…