PRISHTINA - DRENICA

Prishtina në formë edhe në Superligë
13 February, 2021 @14:36
Pas triumfit në Superkupë dhe kualifikimit në çerekfinale të Kupës, skuadra e Prishtinës ka vazhduar të tregojë formë të lartë edhe në kampionat duke fituar tri pikë të reja.
Ekipi i trajnerit Zekirija Ramadani e mposhti Drenicën me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë të stinorit pranveror.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën 13’ kur sulmuesi Alban Shillova shënoi për epërsinë e bardhekaltërve.
Gjërat për Prishtinën u lehtësuan në minutën 36’ kur Bledar Devolli i Drenicës u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave dhe drenicakët mbetën me një lojtar më pak.
Megjithatë, pavarësisht disavantazhit në numër, Drenica u kundërpërgjigj pak para përfundimit të pjesës së parë, me golin e brazilianit Denissson Santos në minutën 44’, i cili shënoi për ta barazuar rezultatin në 1-1.
Në pjesën e dytë vendasit treguan paraqitje më të mirë në lojë, e kjo edhe u kurorëzua me dy gola që ua siguroi fitoren, ndërsa për këtë u përkujdesën Leonit Abazi (62’) dhe Gentian Muça (71’), që u regjistruan në listën e realizatorëve.
Fillimisht Abazi shënoi për epërsinë 2-1 të Prishtinës duke e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë gabimin e portierit drenicak, Arion Ymeri, derisa më pas Muça shënoi golin përfundimtar me kokë, pas asistimit të bukur nga krahu i djathtë i Besnik Krasniqit.
Deri në fund të ndeshjes Prishtina shënoi edhe njëherë në minutën 88’ nëpërmjet Qëndrim Zybës, mirëpo gjyqtari i ndeshjes anuloi golin për shkak të pozitës jashtë lojë.
Kjo është fitorja e dhjetë e Prishtinës në Superligë, po aq sa ka edhe Drenica numër të humbjeve.